Scott: Nuk besoj që Amerika do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës
Beograd, 5 gusht 2018 – Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, ka thënë se nuk pret që administrata e presidentit Donald Trump të ndryshojë në mënyrë drastike qëndrimin e Washingtonit ndaj statusit të Kosovës.
“Sa i përket Amerikës, sikurse edhe shteteve të mëdha, ato interesa nuk ndryshojnë nga presidenti në president. Atë që ne dëshirojmë që nga administrata Bush, tek Obama dhe Trumpi, është paqja dhe stabiliteti në këtë rajon, transformimi drejt demokracisë, marrëdhënie më të mira ekonomike dhe integrim në BE”, ka thënë Scott, në një intervistë për Radio Beogradin.
“Kështu që nuk besoj se politika jonë do të ndryshojë”, ka theksuar ai, transmeton Koha.net.
Scott ka thënë SHBA-ja vlerëson se pa normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të përhershme mes Kosovës e Serbisë nuk ka stabilitet dhe përparim të Ballkanit Perëndimor.
“Zgjidhja e problemit të Kosovës kërkon liderë të guximshëm dhe gatishmëri për zgjidhje kreative”, ka thënë Ambasadori Scott, transmeton Koha.net.
Sipas fjalëve të tij, Washingtoni është i gatshëm t’u ndihmojë të dy palëve, porse për marrëveshjen eventuale mes dy vendeve do të deklarohet vetëm kur ta shohë atë.
Ai ka thënë se bombardimi i Serbisë në vitin 1999 i ka vënë fund luftës dhjetëvjeçare në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
“Vendimi për bombardim më 1999 është marrë pas një dekade gjakderdhjeje në këtë rajon dhe, në fund të fundit, i ka dhënë fund asaj gjakderdhjeje”, ka thënë Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott./ylliria press/