Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Mid’hat Frashëri, ende pa një shtatore

 

“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj., i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qendër e studimevet shqiptare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë”. Ky është testamenti që la Mid’hat Frashëri në vitin 1927. Më thoni a ka ndonjë burrë tjetër shteti që të ketë bërë një veprim të tillë? Ai ishte gjuhëtari, historiani, politikani, bibliografi, eseisti dhe shkrimtari që çdo gjë e vuri në shërbim të kombit të tij. Po kombi çfarë ka bërë për të? Asgjë. Nuk ka një shesh, një rrugë, një shkollë që të ketë emrin e tij. “Medet s’ke një shtatore” shkruan poeti i përndjekur politik Uran Kostreci në sonetën kushtuar këtij personaliteti. Disa vite më parë ish-kryeministri Sali Berisha premtoi sjelljen e eshtrave të tij në atdhe por, çuditërisht, ky premtim mbeti vetëm në letër. Përse? Sot del një ekzemplar tjetër, Edi Rama, që paska vendosur të sjellë këto eshtra. Mos harroni, Edi Rama është kryetari i Partisë Socialiste, që nuk ka lënë më baltë pa hedhur mbi figurën e këtij vigani dhe këtë e përligj duke e trajtuar vetëm si gjuhëtar dhe duke i mohuar gjithë aktivitetin e tij. Megjithatë një gjë e tillë mua nuk më çudit pasi e di që ajo është pjesë e lojës politike që ai luan me kundërshtarët e tij. Ajo që më çudit mua është se propozimin për këtë e ka bërë një institucion i djathtë që mban emrin e po këtij personaliteti. A nuk do të ishte më mirë t’iu ishte drejtuar dy partive të Ballit Kombëtar që e kanë atë simbolin e tyre. A nuk do të ishte më mirë t’iu ishte drejtuar biznesmenëve të djathtë madje edhe qytetarëve të djathtë pasi jam i sigurtë se do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë drejtim. Për këtë mund t’ju jap një shembull. Një qytetar i zakonshëm, një ish i burgosur dhe internuar politik nga regjimi komunist, rezident në Francë, Lavdosh Bequa nga Kanina e Vlorës, u tregua i gatshëm para disa viteve të vinte një shumë të hollash për sjelljen e këtyre eshtrave. Sot ky qytetar i ka mbyllur sytë. Përse nuk u bë një veprim i tillë, por u krye nga kundërshtarët më të egër të Mid’hat Frashërit? Me pak fjalë ‘dhëntë iu drejtuan ujkut për ndihmë’. Kjo është një fyerje për këtë figurë madhore.

Please follow and like us: