Albspirit

Media/News/Publishing

Sulmi ndaj banesës së Lalës, Unioni i Gazetarëve: Prej detyrës, tentativë për ta frikësuar

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon me forcë sulmin e kryer në banesën e reporteres së njohur Klodiana Lala në mëngjesin e ditës së sotme.

Vetë gazetarja Klodjana Lala, i tha zyrës së shtypit të UGSH-së se sulmi është një tentativë e pastër për të frikësuar atë dhe ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si reportere.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka mësuar se ngjarja është e rëndë dhe serioze, pasi ndaj banesës së koleges është derdhur një breshëri me plumba, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të familjes së saj prindërore.

UGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit që urgjent të hetojë ngjarjen dhe të dërgojë autorët para drejtësisë, pasi çdo vonesë do të ndikojë edhe më shumë në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri.

“Policia nuk duhet të merret me detaje që çorodisin më shumë opinionin por të gjejë autorin ose autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë. Kur sulmohet lajmësi, rrezikohet rëndë një nga të drejtat themelore kushtetuese”, thuhet në qëndrim.

UGSH është në kontakt intensiv me organizmat ndërkombëtare në Shqipëri për të kërkuar një angazhim sa më aktiv në mbrojtje të gazetarëve.

Më tej u bëhet thirrje institucioneve shqiptare që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe veçanërisht Ministria e Brendshme të reagojnë menjëherë duke dënuar ashpër sulmin dhe të merren në mbrojtje reporterët.

Please follow and like us: