Washington Times: Injorimi i Ballkanit ku Soros po lëviz fijet, rrezik për SHBA
Një udhëtim i kohëve të fundit në Ballkan, risolli edhe njëherë në vëmendje, fuqishëm, rëndësinë e këtij rajoni për politikëbërësit e SHBA-ve dhe Perëndimit. Ballkani është i zhytur në histori, e më shumë sot, në mes të lojës së madhe gjeopolitike dhe ne po e injorojmë këtë rajon duke vënë në rrezik edhe veten.
Shumica e votuesve të mirinformuar janë të vetëdijshëm për luftërat destabilizuese të Ballkanit të fundshekullit të 20-të dhe janë të vetëdijshëm për “shkëndijën” e cila filloi Luftën e Parë Botërore, kur Duka Franz Ferdinand u vra në Sarajevë në Serbi duke u hapur rrugë fuqive të mëdha për të filluar Luftën që do t’ju jepte fund të gjitha luftërave.
Sot rajoni po zien përsëri nga pakënaqësitë, me fuqitë e mëdha të vjetra dhe të reja, që kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre, duke rrezikuar Perëndimin.
Ndikimi më i dukshëm dhe i nënvlerësuar në Ballkanin Perëndimor është Turqia, ku Presidenti Rexhep Taip Erdogan po promovon një rol më të madh të Islamit në politikë dhe shoqëri, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë. Udhëtimi im i fundit në Shqipëri ishte në vitin 2014, ku vështirë se shikoje ndonjë dëshmi të ndikimit fetar në këtë vend historikisht laik. Sot është e vështirë të mos shikosh gratë e mbuluara në rrugë dhe xhamitë e reja që po ndërtohen në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Me administratën e Trump në konflikt me qeverinë e Erdogan për arsye të shumta, duke përfshirë arrestimin e pastorit amerikan dhe blerjen e planifikuar të sistemeve raketore ruse nga Turqia, është vënë në dyshim stabiliteti i pjesës jugore të NATO-s. Kjo e bën Ballkanin edhe më të rëndësishëm nga perspektiva strategjike.
Erdogan po ndez kujtimet e vjetra të konflikteve etnike dhe fetare që datojnë nga koha e Perandorisë Osmane, pasi ai e promovon veten si një “mbrojtës i myslimanëve” në rajon. NATO po injekton aktualisht disa fonde për rinovimin e një baze ajrore shqiptare, në mënyrë që të përmbushë standardet e ndërveprimit të aleancës, ndërkohë që përshtatet me anëtarët e rinj.
Sa për NATO-n, Aleanca dalëngadalë po merr nën mbrojtje pothuajse pjesën më të madhe të rajonit, si për inat të Moskës, që ka punuar pa u lodhur për ta ndalur këtë gjë. Serbia është vendosmërisht në kampin rus dhe një aleat afatgjatë. Bombardimi i forcave serbe nga NATO në vitet ‘90 është ende i freskët në kujtesën e zyrtarëve rusë dhe qytetarëve të zakonshëm gjithashtu.
Edhe Kina gjithashtu ka bërë disa përpjekje për të zgjeruar ndikimin e saj me ofertat tipike të Pekinit nëpërmjet financimit të infrastrukturës (së bashku me listën e gjatë të kushteve që i bashkëngjiten këtyre marrëveshjeve), si pjesë e iniciativës së tyre të quajtur “Belt and Road Initiative” .
Nga ana e tij, Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë të lidhur Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me premtimin se një ditë do të anëtarësohen, edhe pse korrupsioni është ende mbizotërues në Tiranë dhe Shkup, që ka të ngjarë të pengojë anëtarësimin e tyre në BE tani për tani.
Ndoshta situata më shqetësuese në Ballkan për momentin është ndikimi i administratës Trump nga diplomacia në rajon në favor të filantropistit liberal miliarder Xhorxh Soros, si dhe djalit të tij Aleks si emisari i ri. Për përpjekjen e tyre për të krijuar një zonë të përbashkët ekonomike, pa kufij, të ngjashme me Jugosllavinë, Aleks Soros është takuar me qeveritë e Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës të paktën 9 herë gjatë muajve të fundit. Fotot e tij me kryetarët e shteteve të Ballkanit janë shfaqur në të gjitha faqet e tij në rrjetet sociale.
Qëllimi duket të jetë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës për të shkëmbyer territore për njohje afatgjatë dhe bashkëjetesë paqësore. Rreziku i kësaj ideje është se shumica e analistëve evropianë shprehen shumë të shqetësuar për faktin se Kosova po detyrohet të heqë dorë nga territori, veprim i cili paralajmëron për rrezikun e nxitjes së konflikteve të vjetra etnike. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe udhëheqësit e tjerë evropianë janë kundër kësaj ideje. Por Sorosianët vazhdojnë të avancojnë këtë ide, duke vepruar njësoj si me krizën e emigrantëve në Evropë, pa u shqetësuar për pasojat.
Ndoshta më alarmuese është se stafi diplomatik amerikan në rajon po shpërfill në mënyrë aktive axhendën e presidentit Trump, me zyrtarët e mbetur nga koha e Obamës, të cilët ndjekin politika që nuk përfaqësojnë interesat e vërteta të Amerikës.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John R. Bolton ka habitur të gjithë duke pohuar se Shtëpia e Bardhë nuk ka probleme me qeveritë e Ballkanit që arrijnë marrëveshje midis tyre mbi shkëmbimet e tokës dhe çështje territoriale.
Nëse kemi mësuar ndonjë gjë gjatë shekullit të kaluar është se ky rajon i botës ka nevojë për angazhim aktiv perëndimor për të parandaluar atë që mund të quhet “riballkanizimi i Ballkanit”, një politikë që historia ka treguar vazhdimisht që çon në konflikte dhe vdekje.
Qëndrimi kontradiktor i administratës Trump kundrejt axhendës së Sorosit nuk do të përfundojë mirë.
• L. Todd Wood është një ish-pilot helikopterësh për operacione speciale dhe tashmë specialist në Wall Street. Ajo ka qenë bashkëpunëtor me Fox Business, The Moscow Times, National Review, The New York Post dhe shumë media të tjera. Tashmë ka portalin e tij LToddWood.com. ©LAPSI.al