Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan sfidon SHBA: Nuk i marr leje askujt për të blerë raketa ruse!

 

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan ka deklaruar sot se “Ankaraja nuk ka nevojë për leje nga askush për të blerë sistemet raketore S-400 të Rusisë”.

Erdogan ka provokuar kështu presidentin Donald Trump dhe qeverinë e SHBA-së.

“Ne kemi bërë marrëveshje për S-400 me Rusinë. Dikush është ofenduar nga kjo, por ne nuk kemi nevojë për leje nga askush”, tha prerazi lideri turk në Forumin e Biznesit Turqi-Kirgistan.

Sekretari  i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis paralajmëroi të martën Turqinë që të pozicionohej kundër blerjes së sistemeve ajrore mbrojtëse.

“Turqia kishte një zgjedhje për të bërë, një vendim sovran për të bërë. Por në mënyrë të qartë, Turqia duke sjellë një sistem anti-raketor rus në një vend të NATO-s, bën që ne të mos e integrojmë atë në NATO”, tha Mattis.

Ai u shpreh në mënyrë indirekte se çështja e pastorit amerikan Andrew Brunson nuk ka qenë në të vërtetë ajo që ka ndezur shkëndijat e një “lufte” të ashpër mes SHBA-së dhe Turqisë.

Ankaraja dhe Uashingtoni prej kohësh nuk po bien dakord lidhur me vendimin e Turqisë për të blerë sistemet raketore S-400 të Rusisë, pasi SHBA dhe NATO nuk e miratojnë vendimin e Erdogan, që sipas tyre i hap rrugë ekspansionit rus.

Me qëllimin për të ngrohur marrëdhëniet, qeveria e Erdoganit është gjithashtu e vendosur të blejë edhe avionë amerikanë F-35. Por, ligjvënësit amerikanë po përpiqen ta bllokojnë me çdo kusht këtë procedurë.

Please follow and like us: