Precedenti i “korrigjimit të kufijve” midis Kosovës dhe Serbisë!
Enver Bytyçi
Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përpjekur nga Prishtina të bindë OJQ-të si dhe komunitetin ndërkombëtar se “korrrigjimi i kufijve nuk krijon asnjë precedent për raste të tjera”! Ky refren i tij përsëritet vazhdimisht që kur ai ka ndeshur në murin e madh të rezistencës kundër ndarjes së Kosovës. E përsëriti edhe sot.
Në fakt Thaçi po përpiqet që të bindë Europën dhe të marrë mbështetjen e saj në aventurën e përbashkët të tij me Viçiqin për këtë çështje. Ndërsa rrena e madhe se “Presheva, Bujanovci dhe Medvegja do t’i bashkohen Kosovës, pa dhënë asnjë pjesë të territorit të saj” është një tjetër absurditet dhe kontradiktë në diskursin e presidentit të Kosovës. Vetëm në Beograd dhe Moskë thonë se ndryshimi i kufijve nuk përbën precedent për raste të tjera. Por më pas po prej tyre do të thuhet: “Ja i ndryshuam me Kosovën, pse jo edhe me Bosnjën e rastet e tjera analoge në rajon”?!
I gjithë ky lëmsh dezinformimi dhe mashtrimi është i koordinuar midis Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit. Ata kanë ndarë rolet në funksion të asaj që presidenti i Kosovës të përçojë tezat e Beogradit, me qëllim që të mos kontestohet nga vendet kryesore të Bashkimit Europian. Dmth nëse Thaçi thotë se “ndryshimi i kufijve ka vetëm efekte pozitive dhe nuk krijon precedente të tjera”, atëherë kjo tezë bëhet “më e besueshme” dhe “më e pranueshme” në kryeqendrat europiane si Berlin, Londër e ndoshta edhe në Paris”, i cili ka filluar të ndjejë rrezikun e asaj që po ndodh në dialogun Prishtinë – Beograd.
Politikanët ballkanikë nuk i ndahen vesit. Historikisht ata kanë luftuar kundër njëri-tjetrit duke mashtruar diplomacinë dhe politikën europiane se po bëjnë “më të mirën” për rajonin. “Dëgjoni, u thoshte Pashiçi në fillim të vitit 1913 europianëve, “shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen. Na i lini ne t’i edukojmë, sepse ne dijmë ta bejmë këtë gjë”. Dhe një pjesë e europianëve i besoi ish-kryeministrit serb. Prandaj e bënë lëmsh Ballkanin, duke fut ashklën e zjarrit për një shekull të tërë.
Tani nuk është vetëm presidenti i Serbisë, por edhe presidenti i Kosovës, ai i cili po përpiqet në stilin e Pashiçit të mashtrojë kancelaritë europiane. Sot Thaçi lëshoi rrenën e madhe. Tha se “ka zëra që thonë se korigjimi sjell konflikt. Ky është absurditet. Një marrëveshje mes nesh dhe Serbisë, flas me përgjegjësi, do të sjell paqe dhe stabilitet në rajon”. Ndërkohë në këtë lloj propagande mashtruese ka angazhuar gjithë lakejtë e vet. Një farë ish-zv.ministër i Jashtëm, Petrit Selimi, pa turp fare replikonte me gënjeshtrat e Beogradit me ekspertin më të madh të çeshtjes së Kosovës, profesorin e shquar, Daniel Serwer dhe i thoshte se “Ndryshimi ose korrigjimi i kufijve sjell stabilitet dhe nuk krijon precedent”. Derisa Serwer detyrohet t’i thotë këtij zëdhënësi të politikave serbe se “ndryshimi i kufijve e shpërben shtetin e Kosovës”! Amerikani Serwer kujdeset që ta mbrojë shtetin e Kosovës nga shpërbërja, ndërsa “shqiptari” Thaçi, apo servilët e tij si ky Selimi apo Baton Haxhiu, kujdesen që të realizojnë projektin e Vuçiqit!!! Por në Europën e sotme gjeopolitika studiohet dhe vlerësohet me instrumente të ndryshme nga ato të vitit 1913. Nëse asokohe Pashiq i vetëm mundi ta gënjejë Europën e më pas të ushtronte dhunë e terror në Kosovë për ta serbizuar atë në “emër të qytetërimit”, në kohët e sotme Europa ka përvojën dhe instrumentë të shumtë, të cilët nuk e lënë të gabojnë së paku nga pikëpamja gjeopolitike.
Në Europë vetëm aleatët e Rusisë do të donin që të ndodhë ndarja e Kosovës e më pas të vijojë ky precedent në disa vende të rajonit e më gjerë. Kjo kuptohet qartë dhe nga interesimi i jashtëzakonshëm i këtyre ditëve për referendumin në Maqedoni. Gjatë kësaj jave së paku tre “musketierë të fuqishëm”, Angela Merkel, Stoltenberg dhe Sebastian Kurz do ta vizitojnë Shkupin, për të inkurajuar ‘Po’-në në referendum dhe ankoruar Maqedoninë në NATO e BE. Por nëse ndodh ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi nuk do të bëjnë punë më as “musketierët” , as ndonjë tjetër europian i fuqishëm. Duket qartë se konflikti amerikano-europian për tregëtinë dhe çeshtje të tjera e ka zbehur interesin e Uashingtonit për stabilitetin në Europë. Edhe nëse Rusia vjen dhe instalohet në Ballkan, për disa zyrtarë amerikanë nuk ka ndonjë shqetësim. Për këta Rusia gjendet më afër interesit amerikan sesa vetë Europa. Prandaj dhe ndryshimi i kufijve në fjalë është hapi i parë i falangave ruse për ta realizuar politikën e ekspansionit në Ballkan. Ky ekspansion do të shtrihet jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ish vendin protektorat të Austro-Hungarisë. Republika Srpska edhe pa një precedent të tillë është në prag të një lëvizjeje për shkëputje nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në rastin e realizimit të këtij precedenti Dodik do të ishte i papërmbajtshëm e ligjërisht nga pikëpamja ndërkombëtare askush nuk mund të ndalonte atë. Kështu Kremlini do të krijonte një mini Sevastopol në bregdetin Adriatik. Hashimi dhe Aleksi thonë jo. Kjo është e pamundur. Por në Europë e dijnë mirë se çfarë përfaqëson Dodik. Edhe po të donte Aleksi i Beogradit nuk do të mund ta ndalonte një zhvillim të tillë. Ndërkohë që Hashimi i Prishtinës nuk imponon dot vullnetin e shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodhen. Ai imponon vullnetin e tij vetëm tek ata që i binden Beogradit! Kësisoj Maqedonia nuk do të ekzistonte më. Ndërsa vetë Moska do të legjitimpjë jo vetëm pushtimet e saj të dy provincave në Gjeorgji dhe të Krimesë, por edhe ndarjen e Ukrainës Lindore, Moldavisë etj. Nëse në Prishtinë dhe në Beograd do të varroset parimi i mosndryshimit të kufijve, atëherë vizitat e Merkel, Kurz dhe Stoltenberg kësaj jave në Shkup do të kujtohen thjesht si përpjekje për ta shpëtuar Ballkanin e Europën.
Tirane, 05.09.2018