Rrezikohen liritë në SHBA pas vrasjeve në Orlando
Në vrasjet e Orlandos, masakra më e madhe me armë në historinë amerikane, humbën jetën 49 persona. Gjatë katër viteve të fundit, në SHBA janë vrarë 82 persona nga disa individëve që kanë hapur zjarr ndaj grupe njerëzish. Por, pse ndodhin këto masakra në vendin me lirinë më të madhe individuale?
Orlando e Floridës është e famshme për Disneyworld dhe turizmin.
Tashmë edhe Orlando do të na kujtojë masakrat, siç ndodhi edhe në San Bernardino të Kalifornisë, ku u vranë 14 persona vitin e kaluar.
Ndërsa në Newtown të Connecticut, 20 fëmijë humbën jetën në një shkollë fillore në vitin 2012.
Në Blacksburg, Virginia, 32 veta u vranë në universitetin teknik.
Disa sulmues shfrytëzuan të drejtën amerikane të të mbajturit të armëve. Të dyja armët e përdorura në Orlando ishin blerë legalisht. Ekspertët mendojnë se kjo çështje do të marrë përmasa më të mëdha ndërkaq që terroristët vendas përdorin armë gjithnjë e më shumë.
E drejta e të ushtruarit të çfarëdolloj besimi është në amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane. Sulmuesi në Orlando, Omar Mateen, deklaroi gjatë sulmit besnikërinë e tij ndaj grupit ekstremist fetar, Shteti Islamik.
Frank Cilluffo mbulon sigurinë kombëtare dhe kibernetike në Universitetin George Washington. Ai thotë se liria e besimit ka një kufi.
“Nuk mund t’i lëmë të këqinjtë të fshihen pas fesë, nëse e përdorin atë për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme.”
Një tjetër liri e rrezikuar është ligji i ri që lejon martesën e personave të të njëjtit seks.
Ekspertët mendojnë se Mateen vendosi të sulmojë klubin “Pulse” të Orlandos, për shkak të klientelës së tij me njerëz të komunitetit LGBT.
David Ibsen është drejtor i Projektit Kundër Ekstremizmit.
“Në çfarë pike do të fillojmë të kufizojmë lirinë dhe të drejtat tona për të reduktuar dhimbjen e shkaktuar nga një terrorist apo ekstremist…”
Zoti Ibsen thotë se kjo nuk ka të bëjë më mënyrën tonë të jetesës, por se si ajo përjetohet nga të tjerët. Dhe, intoleranca ndër ta është ajo që duhet luftuar.