20 parti politike shpalosin idetë për Reformën Zgjedhore, Kokëdhima: Kusht, për integrimin
Përfaqësuesit e rreth 20 partive politike joparlamentare dhe të shoqërisë civile që kërkojnë zgjedhje të barabarta dhe të lira, u mblodhën sot në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë dhe deklaruan se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme.
Tryeza e sotme e partive politike, me bashkëkryetarë z.Koço Kokëdhima, kryetar i partisë ZGJIDHJA dhe Arben Tafaj nga Partia Agrare Ambientaliste, në prani të drejtuesve të partive opozitare dhe të shoqërisë civile konstatoi se reforma zgjedhore është një kusht themelor që Shqipërisë t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian në qershor 2019.
PS dhe PD janë në bashkëpunim dhe mbajnë peng zgjedhjet. Vendi nuk integrohet në Europë pa kryerjen e reformës zgjedhore. Shqipëria qeveriset nga një regjim hibrid, nuk ka një demokraci të vërtetë parlamentare e pluraliste, sovraniteti i popullit dhe sundimi i ligjit janë zëvendësuar nga marrëveshja mes partive të vjetra.
Tryeza e sotme e partive politike që duan zgjedhje të barabarta dhe të lira kërkoi që Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së. Ajo duhet të përfundojë këto muaj që të jetë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Makinacionet e partive të vjetra në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të mos prekur Kodin aktual Zgjedhor në këmbim të votës së emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet për pushtetin vendor, kanë për qëllim të pengojnë reformimin e qenësishëm të zgjedhjeve të vitit 2019. Këto zgjedhje duhet të bëhen me ligjin dhe kodin e ri zgjedhor.