Süddeutsche Zeitung: Vuçiç po tallet me BE
“Vuçic nxitësi” – me këtë titull gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” komenton vizitën e presidentit serb në Kosovë.
Për dallim nga shumë gazeta gjermane, të cilat nuk mbajnë qëndrim të qartë ndaj provokimeve të fundit të Akensandar Vuçicit, gazeta e Münchenit thekson se Vuçic po luan një lojë të poshtër në Ballkan, duke e komprometuar Bashkimin Europian dhe duke e vështirësuar pajtimin.
“Si strateg i kryer, Vuçic javëve të fundit ka nxitur pritje të mëdha.
Publikisht u debatuan planet për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës.
Por, pastaj vetë Vuçici e shfryu balonin provokues, të cilin e ngriti mbi Kosovë.
Në fjalimin e tij të pritur me interesim në Kosovë ai shpalli mesazhin e ri, sipas të cilit nuk mund të priten kompromise në periudhën afatgjatë.
Me procesionin e tij diplomatik, Vuçic ka poshtëruar para së gjithash protagonistët e BE-së, të cilët në çështjen e ndryshimit te kufijve po duken si një grumbull pulash të hutuara”.
Gazeta gjermane nënvizon se ndërsa Gjermania dhe disa të tjerë me të drejtë kundërshtojnë ndarjen e Kosovës si rast të rrezikshëm precedent, përfaqësuesit e Komisionit të Brukselit tregohen të disponuar ndaj kësaj ideje.
“Nëse dy kampe grinden, Vuçic si palë e tretë tani për tani nuk duhet të ketë frikë nga presioni.
Ky është një sukses për të, por një goditje e rëndë për përpjekjet e BE-së për ndërmjetësim”, thekson “Süddeutsche Zeitung”. (dp)/Tema.
https://www.sueddeutsche.de/politik/kosovo-vui-der-zuendler-1.4122193