“Nënë Tereza” mbledh shqiptarët në Montreal
Trëndafila të kuq në përkujtim të shenjtores
Ditën e shtunë, në Montreal të Kanadasë shqiptarët përkujtuan Nënë Terezën. Si çdo shtator, edhe këtë herë në përkujtim të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhi, shqiptarët u mblodhën pranë bustit të shenjtores duke vlerësuar figurën dhe kontributin e saj. Aktiviteti u zhvillua me inciativë të dy shoqatave shqiptare që operojnë në Montreal. Bashkësia Shqiptare e Quebec dhe Shoqata Kulturore e Shqiptarëve Montreal, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Shqiptare në Kanada, ftuan të gjithë bashkëkombasit për të nderuar figurën e shenjtores.
Prej 25 nëntorit 2012, monumenti i shenjtores, i është dhuruar komunitetit shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ajo është një punim artistik i skulptorit shqiptar Benard Lekgegaj. Me iniciativë dhe mbështetje financiare nga vet komuniteti shqiptar, vepra u arrit të realizohej në një kohë rekord, duke patur edhe dakortësinë e nënkryetarit aktual të Bashkësisë së Montrealit, Benoit Dorais.
Aktiviteti u mbajt pranë metro Monk, e cila u hap me këndimin e himnit shqiptar dhe asaj kanadez. Pas fjalës së hapjes, ambasadori shqiptar në Kanada, z. Ermal Muça, vlerësoi lart kontributin dhe misionin human të shënjtores shqiptare. Sipas ambasadorit Muça, Anjez Gonxhe Bojaxhi nuk reshti asnjëherë të theksonte origjinën dhe rrënjët e saj shqiptare duke qenë një shembull i pashoq i dashurisë, i dhimbsurisë dhe i humanizmit. Le të jetë ky shesh, një qendër pelegrinazhi për mbarë shqiptarët në Kanada. Gjithashtu ai theksoi se ky vit ishte një vit i veçantë i përkujtimi të heroit shqiptar legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për të cilin shqiptarët janë mbledhur në Toronto dhe Ottawa.
Jola Qendro, kryetare e Shoqatës së Kulturës së Shqiptare të Montrealit, gjithashtu shprehu vlerësim për Shën Terezën dhe krenarinë që ajo la pas. Qendro theksoi se dëshira më e madhe e shqiptares së shenjtë do të ishte t’u vinim në ndihmë njerëzve në nevojë për t’u qenë atyre me afër. Ajo ftoi të gjithë komunitetin shqiptar, që të vazhdonin misionin e Nënë Terezës për të mbështetur një kauze në nevoje në Shqipëri. Në fund, në emër të shoqatës që ajo drejton, u shpërndanë trendafila për të gjithë të pranishmit.
Që prej 4 shtatorit 2016, kur Vatikani e shpalli shqiptaren të shenjtë, shqiptarët anekënd botës nderojnë misionin e shqiptares./albanian montreal press/