Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Rama apo krimi qeveris sot Shqipërinë?

 

 

 

Meqënëse data 14 shtator 1998 kujton një rrebelim të përligjur kundër qeverisë së ish-kryeministrit Nano, në shenjë hakmarrjeje të qytetarëve për vrasjen shtetërore të tribunit të demokracisë Azem Hajdarit, me mekanizma të importuara nga ish-Sigurimi i Shtetit prej nostalgjikëve të diktaturës hoxhiste, mund të themi se sot është më aktuale se kurrë thirrja e opozitës ndaj Ramës që t’i japë fund aleancës me krimin e organizuar. Pyetja që çdo njeri normal bën është se përse i duhet kjo lidhje Kryeministrit të vendit dhe çfarë pret ai të përfitojë nga ky bashkëpunim me krimin? E kuptueshme se kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës këta eksponentë të krimit i garantonin fitimet monetare dhe aksesin në botën e errët të asaj që Rama nuk e arrinte dot. Por tashmë, prej disa vitesh si Kryeministër, çfarë pret të përfitojë ende prej krimit të organizuar përreth tij? Mos vallë tani që bënë lekët, krimi i duhet për të futur frikën tek mbështetësit e opozitës dhe baza e saj për të larguar njerëzit më të guximshëm që të mos vetëmbrohen as politikisht dhe as fizikisht? Ndaj sot të gjithëve u duhet të mendohen se deri ku duhet të shkojnë për vetmbrojtje nga kjo qeveri?

Është e gjithëpranuar se Rama e shndërroi PS në strofullën e sigurtë të elementëve të dhunshëm e problematikë që nuk ngurruan as në korridoret e Kuvendit të rrihnin me grushta dhe rripa kundërshtarët politikë. Dhe nuk duhet të harrojë as vetë Basha kërcënimin e para disa kohëve me sms që i bëri një eksponent i njohur i lidhur me botën kriminale e që ai vetë e denoncoi publikisht, si përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës. Pra kur Rama dhe njerëzit e tij dhunojnë fizikisht në Parlament opozitën dhe kërcënojnë ekzistencën e vetë kreut të opozitës, atëhere çfarë ka mbetur për të tjerët?

Opozita duhet të jetë e vëmendshme ndaj degradimit të demokracisë që nxitet nga Rama. Dhunimi i përditshëm mental, psikologjik, ekonomik dhe fizik nuk duhet toleruar asesi nga opozita, pasi kështu dhunohen të drejta themelore të njeriut që i japin kuptim sistemit demokratik. Nuk duhet lënë më nga opozita pa një përgjigje të guximshme e të fortë ky dhunim që i bëhet demokracisë perëndimore. Opozita duhet të jetë e përgatitur që Rama mund të anullojë deri sistemin parlamentar në emër të një shteti policor dhe duhet që çdo qytetar ta rrokë kuptimin e kësaj. Me këtë ide duhet të familjarizohet çdo demokrat.

Qeveria aktuale përveçse ka mbjellë vetëm vdekje dhe zhgënjim në moshat e reja dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë, në vend të punësimit dhe prosperitetit, është kujdesur që të garantojë paprekshmërinë e personave të krimit të lidhur politikisht dhe ekonomikisht me kupolën e PS. Vrasja makabre e pazbuluar kurrë e Artan Santos, mosveprimi i shtetit për gjetjen e autorëve nuk është rrjedhojë vëtem e paaftësisë dhe aprofesinalizmit të policisë partiake të Ramës, por ka edhe një shpjegim më afër realitetit që lidhet me ndihmën që strukturat e shtetit i kanë dhënë krimit përmes mosveprimit me dashje ndaj tij.

Aleanca e Ramës e shpallur haptazi me eksponentë problematikë me krimin për të mundësuar ardhjen në pushtet në 2013 i ka dhënë rezultatet e veta. Gjetja dhe kontaktimi i personazheve të krimit që tashmë i dinë të gjithë nga ana e PS për të bërë punët e pista politike e ekonomike në të gjithë republikën është në vetvete akuza e provuar e filozofisë së dhunës që ka pushtuar qelizat e Ramës. Policia është kujdesur për vite me radhë dhe gjerësisht të devijojë prioritetet e interesit publik. Kujtoni pak operacionet e turpshme ku u thuhej qytetarëve se “krim më i madh është mosmbajtja në makinë e kutisë së ndihmës së shpejtë sesa mbajtja e pistoletës në kroskot të mjetit”. E pra këto sjellje të qëllimshme të policisë për të ngatërruar shoqërinë në rrjetën e rrezikshme të interesave pa lidhje me sigurinë primare të shtetasve, prodhojnë vrasje si ajo e Santos, si ajo me 4 viktima në Tiranë nga djali i deputetes, si ato pa autor në Shkodër e kudo.

Fakti është se sot policia u ka fshehur e u fsheh qytetarëve me dhjetëra raste të fëmijëve të politikanëve të lartë të PS që kanë shtypur njerëz me makinë, që janë plagosur apo kanë plagosur me armë zjarri e që kanë patur marrje dhe dhënie me afera të ndryshme, dëshmon për mashtrimin iluziv që kërkon të bëjë propoganda qeveritare mbi përgjegjësinë e vrasjeve të shumta në gjithë vendin. Përgjegjësia e parë është e Kryeministrit të pa distancuar nga elementët problematikë

Sa më shpejt qytetarët të kërkojnë masivisht prerjen e lidhjeve të Kryeministrit me botën e errët të krimit, aq më shpejt do çlirohemi prej tij të gjitha.

Please follow and like us: