Albspirit

Media/News/Publishing

Jorgos Seferis: Shtëpia buzë detit

 

 

 

Shtëpitë që kisha m’ i morën.

Qëlluan vite të mprapshta, luftra, prishje, kurbete,

ndodh ndonjëherë që gjahtari bie mbi zogjtë që shtegtojnë

e hera herës nuk i gjen, gjahu

nuk vajti keq në vitet e mia, saçmat kapën shumë

të tjerët vijnë vërdallë ose lajthitin nëpër kazerma.
Mos më fol për bilbilin e as për kanarinën,

as për vogëlushin trumcak,

që numra vizaton në dritë me bishtin e vet,

unë përgjithësisht nuk marr vesh nga shtëpitë

di vetëm se kanë fisin e tyre, asgjë më shumë.

 

Fillimisht të reja, porsi foshnjat,

që luajnë në luadhe me kroshet e diellit,

qëndisin kanata shumëngjyrëshe e dyer

gjithë shkëlqim brenda ditës

e kur ikën arkitekti ndryshojnë,

rrudhosen a buzëqeshin ose edhe mbajnë inat

me ata që mbetën me ata që ikën

më të tjerë që po të kishin mundësi do ktheheshin

ose që humbën, tani që u bë

bota një hotel i paanë.

 

Përgjithësisht nuk marr vesh nga shtëpitë,

mbaj mend gëzimet dhe hidhërimet e tyre

ndonjë herë, tek sa qëndroj akoma

ndonjë herë, pranë detit, në dhoma të zhveshura

me një krevat hekuri pa kurgjë timen

duke soditur merimangën mbrëmësore rri vras mendjen

se dikush bëhet gati të vijë, se e ngjeshin

me rroba të bardha e të zeza e me stoli të çmuara tërë ngjyra

e rreth e qark flasin ndën zë zonja edhe arhonde

me flokët të bardha e dantela të errëta,

gatitet që të vijë e të më japë lamtumirën

ose një grua vetulldredhur belshtrënguar

duke u kthyer nga limane jugore,

Smernë, Rodos, Syrakuzë, Aleksandri

nga qytete të mbyllura si parvazet e ngrohta të penxhereve,

me aroma frutash të arta e bimesh ekzotike,

që i ngjit shkallët pa i venë re

ata që fjetën ndënë shkallë.

Nuk di a më kupton shtëpitë tërbohen kollaj, kur i zvetënon.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, mars 2014.

 

Please follow and like us: