Plagoset Lulushi, truproja e një diskoje në Sarandë
Mëngjesin e ditës së djeshme, truproja e një diskoje në Sarandë, ka mbetur i plagosur, ndërsa policia ka arritur të identifikojë autorin një ditë më pas dhe e ka shpallur në kërkim. Ajo çka mësohet është se gjithashtu policia ka arrestuar kolegun e truprojës së plagosur i cili akuzohet për mbajtjen e fshehtë të krimit. Zyrtarisht bëhet e ditur se policia e Sarandës, pas hetimeve intensive ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Badigardi quhet Arlind Lulushi. Sipas BallkanWeb, Arlind Lulushi i ka mbijetuar edhe dy atentateve të tjera në të kaluarën. Ai u qëllua në dhjetor të vitit 2016 por fatmirësisht shpëtoi pa asnjë lëndim. Më 9 shkurt 2017 Lulushit iu bë sërish atentat me armë zjarri. Ai ndodhej në vendin e punës kur u qëllua në drejtim të tij me automatik, e për pasojë mbeti i plagosur në këmbë.
Njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen e djeshme
Policia e Sarandës, pas hetimeve intensive ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve në lidhje me plagosjen e datës 14.09.2018, ku konkretisht:
Rreth orës 02:32, në lagjen nr.1 Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokal-disko, shtetasi A.L., 37 vjeç me banim në Vlorë (vend në të cilin punonte si “Bodyguard”), është qëlluar me armë zjarri nga një shtetas tjetër (dyshohet shtetasi D.M) i cili duke përfituar nga errësira është larguar menjëherë me një automjet nga vendi i ngjarjes.
Falë veprimeve hetimore intensive të policisë së Sarandës, u bë i mundur identifikimi i autorëve, kapja e njërit prej tyre si dhe shpallja në kërkim e një tjetri:
Joan Buli, 36 vjeç, lindur në Tiranë, me banim të përkohshëm në Sarandë, punonjës në objektin në fjalë (bodyguard) – Arrestuar për “Moskallëzim krimi”.
D.M., 31 vjeç, banues në Sarandë – Shpallur në kërkim si autori kryesor i plagosjes.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Si pasojë e ngjarjes, i dëmtuari A.L ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga nenet 300, 88 dhe 278 të Kodit Penal.