Denis Dyrnjaja: Një mesazh mësuesit!
I/e dashur mësues(e), fëmija im u ul sot për herë te parë ne bankën e shkollës. Bashkë me të në bankë ishte ulur edhe ndroja e pafajësia. Unë i shihja çdo moment në sytë dhe shikimin e përhumbur. Ai sot u ul përballë një puzzle të madh e të panjohur dhe tashmë nisi rrugëtimin për të njohur botën, historinë dhe gjeografinë e saj, do të njohë e mësojë nga erdhëm dhe ku shkojmë. Do të mësojë e njohë më shumë çfarë është njeriu, çfarë është vetë ai si qenie dhe çfarë është në gjendje të krijojë forca e tij.
Do mësojë çfarë është e mira dhe e keqja, lufta dhe paqja. Të lutem mësues(e) e dashur mos e lëndo fëmijën tim edhe nëse ai nuk gjen dot fjalën e duhur apo mendimin e duhur. Mësoje atë me kurajë se dështimi nuk është fundi, por është fillimi për t’u ringritur. Mësoje se jeta është plot me beteja si kjo e dështimit dhe ringritjes, e se lëmosha nuk është shpëtim, por zhytje në mjerim. Mësoje fëmijën tim ç’është dashuria.
Mësoje që të japë dashuri, që të marrë dashuri. Tregoji se sekreti i lumturisë është dija dhe dashuria. Ti do te jesh për të bariu i mirë si në përrallat e vogëlisë, që di gjithçka dhe mund ta mbrosh nga gjithçka. Unë e di se fëmija im do të të adhurojë nëse ti edhe në pikën tënde fundore të lodhjes do gjesh buzëqeshjen për t’i thënë se nuk je lodhur dhe se e do shumë edhe pse ai nuk është dot i përkryer.
E dashur mësues(e) kujdesu, mëkoje dhe mësoje fëmijën tim që të bëhet dikush i vërtet në jetë, se nuk dua te kem nesër në shtëpi një manekin, apo marionetë. Unë të kam besuar ty sot jo thjeshtë një fëmi, por të kam besuar dritën e syve të mi.