Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Që oborrtarët e Ramës, mos e dhëntë zoti, të vdesin “zemërthyer” si Santo dhe Dr. Flori

 

 

Paraprakisht do të kërkoja falje nga familjarët e Artan Santos dhe këngëtarit të njohur si Dr. Flori që do të rendis disa mendime, ku si simbolikë do të përdor njerëzit e tyre të dashur që fatkeqësisht nuk gjenden të gjallë. Të qenurit “çun i mirë Tirone” nuk i shpëtoi dot Artan Santon dhe Dr. Florin nën qeverinë e ish mikut të tyre Edvin Rama. Artan Santo dhe familjarët e tij e përjetuan tragjikisht mashtrimin e Ramës dhe Tahirit të asaj kohe me standartin e gjoja të rilindur të rendit dhe sigurisë, ndërsa Dr. Flori përjetoi po kaq tragjikisht mashtrimin e shëndetësisë falas e të “rilindur” të Beqajt dhe Ramës. Për më tepër, Artan Santo u ekzekutua në mes të Tiranës dhe moskokëçarja e gjithë shtetit, të paktën për të gjurmuar ekzekutuesit, të bën të mendosh se hapat e përgjegjësve realë ndalen para dyerve bunker të ekzekutivit aktual. Edi Rama përveç një reagimi shumë të papërshtatshëm e të padenjë në rrjetet sociale për ekzekutimin spektakolar të Artan Santos, nuk u ndje dhe kujtoi se e hodhi gjithçka pas krahëve me një batutë të mjerë në adresën e tij të internetit. Nëse kjo mënyrë është përqasja dhe trajtimi “i çunave të Tironës” nga Edi Rama, atëhere me keqardhje duhet të paralajmëroj të gjithë ata që sot i qëndrojnë me dëshire rreth e rrotull Ramës duke i shërbyer në fushën mediatike apo atë artistike dhe më keq akoma në atë politike. Pa kaluar as gjysëm viti, një tjetër vdekje e një ish miku të Ramës trondit Tiranën, por kësaj radhe Kryeministri nuk gjen asgjë që ta nxisë të thotë diçka publikisht, përkundrazi dirigjon versionin e overdozës për të mbyllur kështu një kapitull aspak të lavdishëm për të pas kompozimit te Dr. Florit me përmbajtje të qartë politike siç ishte kënga “Zemërthyer”. Pra njeriu që para disa vitesh i kishte qëndruar në krah Ramës duke kënduar bashkë me të në të paktën dy fushata shumë të rëndësishme politike të kreut të sotëm të qeverisë, i kthehet në të kundërt pas aleancës të pamoralshme me LSI-në në atë kohë. Të gjithë e mendojnë, por askush nuk guxon të thotë sot se vdekja e Dr. Florit është një barrë më tepër në supet e Ramës për shkak të tradhëtisë së qartë të idealeve dhe moralit fisnik të “çunave të Tironës” që e kanë përkrahur Edin duke kujtuar fatalisht se ai ishte një pjesë përbërëse e komunitetit të tyre kryeqytetas. Por e vërteta u dëshmua e dhimbshme dhe zhgënjyese për Santon dhe Dr. Florin, aq sa ky i fundit e shprehu me këngë degjenerimin moral politik të Kryeministrit Rama. (Klikohet në youtube). Dhe nëse e vendosim në një kontekst më të gjerë atë që i ka ndodhur Santos dhe Dr. Florit, besoj se duhet të kenë kujdes “miqtë” e rinj dhe të vjetër të Edit, si Lorenc Vangjeli, Mero Baze, vëllezërit Nazarko, Mustafa Nano, Andi Bushati, (në fakt kohët e fundit Bushati po i kundërvihet Ramës) Anila Basha, Skënder Minxhozi, e plot të tjerë që me koshiencë hanë nga supa qeveritare. Disa prej tyre e gjejnë veten plotësisht në ritmin e këngës së të ndjerit Dr. Flori “Zemërthyer”, por nuk e shkruajnë publikisht edhe pse e thonë privatisht. Mirëpo shërbimet e tyre ndaj Ramës nuk janë as garanci dhe as pasaportë që mund t’i shpëtojë nga fatkeqësitë e nxitura, të sajuara apo edhe thjesht natyrore të karakterit Kryeministror. Por ndërsa të gjithë këta që kanë mbetur gjallë bashkarisht kanë zgjedhur të vetdeklarohen si vlera serioze të medias afër oborrit të Kryeministrit dhe presin me ankth që Rama t’i legalizojë duke i bekuar me ndonjë përfitim të çfarëdoshëm, gjithë qytetarët e tjerë që ndjehen të mashtruar nga politika qeveritare mund të zgjedhin sheshet e qyteteve për të kërkuar largimin e Ramës. Orteku qytetar tashmë ka refuzuar me neveri debatin me nota regresive të të majtëve që përqendrohet tek sulmi politik ndaj opozitës, e cila duhet të lajmërojë sezonin e rrëzimit të qeverisë socialiste. Ngado që të hedhësh sytë sot apo ngado që të shkosh e të pyesësh do të gjesh veten në një situatë jo vetëm të pandryshueshme nga ajo e 5 viteve më parë, por edhe më të keqe. Asnjë hap domethënës në hapjen e vendeve të reja të punës, asnjë përmirësim i tregut konsumator që do të theksonte çfarëdolloj pozitiviteti në tregun e punës. Në vend të kësaj u vendos rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe taksave. Nuk ka ulje të tvsh-së për shportën e ushqimeve bazë, nuk ka ulje apo heqje të tvsh-së për energjinë, nuk ka masa mbrojtëse për të varfërit dhe personat me aftësi të kufizuara, nuk ka zbatim të ligjit për punësimin e tyre në çdo 25 persona e kështu me radhë. Të gjithë njerëzit që marrin paga minimale e që janë gati 60% e popullsisë nuk kanë asnjë përfitim nga paketa fiskale 2018, përkundrazi ata shohin çdo ditë rritje të çmimeve të karburantit dhe ushqimeve bazike deri edhe cigarja, kafja e birra. A ka sot pas 5 vitesh qeverisje më shumë shqiptarë të pasur, a ka sot më shumë shqiptarë të lumtur, a ka sot më shumë familje shqiptare që kanë dalë nga varfëria, a ka sot më shumë lek në qarkullim dhe a ndjehen sot më të sigurtë shqiptarët se para 23 qershorit 2013? Gjithkush e di se jo. Po atëhere përse duhet që të tolerojnë më tej një ekzekutiv që nuk ka sjellë ndonjë përmirësim? Përse të mos ketë një karton të kuq nga qytetarë që Rama të kuptojë se do dalë ‘jashtë loje’? Dhe këtu nuk po diskutojmë për hapat mbrapa që janë bërë nga qeveria ne rrafshin e konsensusit dhe qetësisë politike që ka të bëjë me trajtimin politik të kundërshtarit zgjedhor. Nëse do të marrim edhe shkeljen e hapur të premtimeve të shkelura përballë BE-së për dialog konstant pozitiv politik me opozitën, atëhere arsyet e pikëpyetjeve që bien mbi qeverinë janë të mëdha. Por politika është gjëja më e parëndësishme ndër interesat e përditshme të qytetarëve. Sepse ata shohin se nuk kanë as shërbime spitalore më të mira, as çmime të ulura të ilaçeve, as respekt më të madh kur shkojnë në dyert e klinikave dhe as trajtim më njerëzor në këto muaj. Ndaj edhe mosbesimi qytetar është i ligjshëm dhe po kaq e ligjshme edhe organizimi dhe kanalizimi i të gjitha këtyre pakënaqësive nga opozita shqiptare. Që të mos “ikim” ne të gjithë “Zemërthyer” si Santo dhe Dr. Flori duhet të ngrihemi të shumtë për të mos u dhënë mundësi atyre që na shohin si “ngatrrestarë” të tallen me ne. Ora e drejtësisë shoqërore vonon, por nuk harron dhe kujtesa e shqiptarëve po troket fort në derën e Ramës. Nëse ai nuk dëgjon, atëhere ajo derë duhet dhe do të rrëzohet…

Please follow and like us: