Albspirit

Media/News/Publishing

Reshida Çoba: GRUAJA ËSHTË AJO QË NDODH…FEMRA ËSHTË AJO QË JE

Ese

 

 

Gruaja jam sot në ditën e lindjes…Gruaja që më shumë se një argëtim e pret këtë ditë si më të vështirën, më të komplikuaren…ditën ku do hyj në një konkurim ankthi, “konkurim me veten”, atje ku parakalojnë pakënaqësitë, dëshirat e dështuara, njerëzit-dashuritë e munguara, humbjet në kohë e në hapësirë…analiza e mendime që ngjajnë vetëm me veten…gruaja në garë me vitet, me momentet e vogla e të mëdha të vetes. Të mundohesh të hiqesh i gëzuar në një ditë si kjo, është vuajtje më e madhe…tjetër zhgënjim. Dhe pse në zakon të gjithë urojmë “u bëfsh 100 vjeç” e dimë se “100 vjetët e para të jetës ” janë më të vështirat…e saktë kjo, aq sa të sakta janë matematikisht dhe dita e lindjes e dita e vdekjes. Ata që nuk dinë të vuajnë vetëm nuk dinë as të dashurojnë të tjerët. Bëhem grua e fortë, vetëm kur flas para emrit tim, para vajzave të mia të dashura, që shpjegojnë gjithë jetën time. Klasike mbetet një femër që lufton për më shumë dashuri te fëmijët, prindërit, miqtë…një grua që percepton më shumë njohje ndaj jetës, mistereve, artit, ndaj personales së saj, që ndihet dhe shoqërore…është bukur të jesh një shoqëri e lodhshme me veten, grua me tërë ato pyetje tërësie për qënien tënde me kaq detyrime, me fajin e madh të saj, qysh në lindje…Grua! Kuptimi nuk ishte kurrë i lehtë për t’u marrë me të…gjithnjë mbeti një thyesë e pazgjidhur për mua, lënë për t’u kuptuar më vonë. Ndaj sot duke detyruar veten të përjetoje siluetën e një gjej të bukur në lëvizje, vendosa të mbetem te mendimi për ju njerëzit e Atdheut tim…të përcjell gjithë emrat, fjalët, respektin, ngrohtësinë, vlerësimin reciprok. Askush nuk praktikohet në artin e miqësisë…e ndjen ose jo. Ju faleminderit që jam në praninë tuaj!

Please follow and like us: