Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: Sot dhe vetëm sot…!

 

 

Si femër, si nënë e si politikane e këtij vendi jam thellësisht e tronditur nga ngjarja me vajzën e Fushë-Krujës, Xh. M.

Ky nuk është një rast sporadik i një ngjarje të pakëndshme që rastis të ndodhë kudo.

Aspak.

Flitet për fuqinë që i jep vetes krimi me kostum politik e biles me kostum parlamentari.

Të tilla ngjarje që vijnë nga këta deputetë ordinerë pa asnjë celulë politike në vetëdijen e tyre, përveç banditizmit e amoralitetit si dhe nga familjarët e tyre janë bërë të rëndomta.

Ku e gjejnë fuqinë se morali ju ka shterruar, ku e gjejnë guximin se karakteri ju është tharë, me ç’fytyrë kanë kurajon e ulen në tempullin e demokracisë këta përbindësha mediokër që luajnë me fatin e jetën e njerëzve e për më tepër të vajzave shqiptare?

Mirë se ligji ka avulluar, po kodi moral e njerëzor ku është?

Po ne ku jemi?

Sot duhet vetem sot të ngrihemi e me dhunë t’i përzëmë nga parlamenti e zyrat e shtetit këta të pafytyrë që po përligjin e inkurajojnë krimin e rrugës duke krijuar panik e pasiguri të paparë as në ditët më të zeza të Atdheut tonë.

Ky rast e të tjerë si ky përpara sa të kenë ngjyrë a kahe politike janë rrezik për të gjithë shqiptarët e moralshëm që e duan familjen e nderin, që kërkojnë siguri e drejtësi.

Ndaj t’i mbushim sheshet kundër Rrahmanëve e shokëve të tij që shpërfytyruan jo vetëm politikën, por po degradojnë drejtësinë dhe atrofizojnë demokracinë.

Apelit tim njerëzor do t’i bashkëngjis fjalët e të madhit Martin Luter King:

“Historia do të shënojë se tragjedia më e madhe e kësaj periudhe tranzitore e shoqërore nuk është britma çjerrëse e njerëzve të këqinj, por heshtja lemeritëse e njerëzve të mirë…”.

Ndaj sot nuk ka heshtje dhe as qetësi sepse jeta dhe nderi,siguria dhe drejtësia e secilit është në grahmën e fundit.

Please follow and like us: