Regjimi iranian kërcënon me ekzekutim shoferët grevistë
Maryam Rajavi përshëndet grevistët, bën thirrje për mbështetje ndaj tyre
Greva mbarëkombëtare e shoferëve të kamionëve, e cila ka hyrë në javën e saj të dytë, ka intensifikuar krizën brenda regjimit klerikal, udhëheqësit e të cilit janë tmerruar nga vazhdimësia dhe përhapja e saj. Për këtë arsye, Khamenei ka nxjerrë në skenë Prokurorin e Përgjithshëm Montazeri për t’i kërcënuar grevistët me ekzekutim. Montazeri tha:
“Sipas informatave që ne kemi, në disa rrugë, në disa qytete, ka elementë që provokojnë disa nga shoferët, apo që i bllokojnë e krijojnë probleme për ta. Ata janë subjekt i rregullave e ligjeve të banditizmit dhe ndëshkimi për banditët sipas ligjit është shumë i rëndë, ndonjëherë shkon deri në dënimin me vdekje. “(News Network TV News – 29 shtator).
Në të njëjtën kohë, Ali al-Qasimehr, krye-gjykatësi i provincës Fars, i ka akuzuar grevistët për “korrupsion mbi tokë,” dhe Gjeneral-Brigadieri i IRGC-së Mohammad Sharafi, një nga komandantët e Forcave të Sigurisë së Shtetit, i kërcënon protestuesit me masa të ashpra. (TV shtetëror – 29 shtator).
Megjithatë, dy ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Transportit të Provincës Fars e kishte quajtur grevën e shoferëve si thjesht thashetheme dhe kishte thënë: “Ka disa ditë që thashethemet për grevën e shoferëve të kamionëve qarkullojnë nëpër media e në hapësirën kibernetike. Ky keqpërdorim i nevojave të shoferëve nga kundërshtarët për të krijuar krizë në vend është i qartë për çdo iranian (FARS, agjensia e lajmeve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, 27 shtator).
Koloneli i IRGC Kavos Mohammadi, përfaqësues i forcës policore të provincës Fars, i ka përshkruar grevistët si “prishës të rendit,” dhe ka thënë: “Në vijim të akteve rend-prishëse nga disa prej këtyre njerëzve në rrugët e Fars… Pas patrullës së dukshme e të padukshme të oficerëve, 22 banditë e prishës të rendit publik nëpër rrugë u arrestuan dhe, pas një kallëzimi penal, ata u dërguan tek autoritetet gjyqësore dhe përmes tyre, në burgje. Policia do të veprojë me ndjeshmëri e vigjilencë përkundrejt më të voglit faktor pasigurie në koordinim me gjykatën, dhe procesi i përballjes me prishësit e rendit dhe të sigurisë së rrugëve e akseve të provincës Fars do të vazhdojë me një ritëm të përditshëm. Policia monitoron dhe kontrollon të gjitha rrugët në këtë provincë, në mënyrë të dukshme e të padukshme, dhe vepron me vendosmëri ndaj të gjithë elementëve që prishin rendin e sigurinë në këto zona” (agjensia e lajmeve IRNA – 26 shtator).
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, ka përshëndetur grevistët në mbarë Iranin, duke i përshkruar kërcënimet hakmarrëse të klerikëve kundër shoferëve të denjë e punëtorë si një pasqyrim i krizës në rritje të regjimit klerikal, dhe tha se mullahët sundues janë banditët më të këqij në historinë e Iranit, dhe se ata as nuk duan e as nuk munden t’u përgjigjen kërkesave legjitime të shoferëve grevistë. Ajo u bëri thirrje të gjitha organizatave të të drejtave të njeriut që të marrin masa për të liruar të arrestuarit dhe nxiti publikun, sidomos të rinjtë, që të mbështesin grevistët. Ajo shtoi se realizimi i këtyre kërkesave është i mundur vetëm me themelimin e demokracisë dhe sovranitetit të popullit. Një regjim që kërcënon të ekzekutojë popullin e tij punëtor për shkak të një greve duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.