Epigrame nga Viron Kona
Padrejtësisht
Kur dikë e lavdëron pa të drejtë,
dhe njollat përpiqesh t`ia fshish,
ta dish se një tjetër ke njollosur,
padrejtësisht.
Bëje vetë
Mos u mundo të përfitosh qyl,
provo ta bësh dhe vet një punë,
peshku që ti kap n`det me grep,
kur e skuq të shijon më shumë.
Çark
Të kanë lavdëruar shumë dinakërisht,
me vend e pa vend qefin ta kanë bërë,
veç kujdes, se laku që të kanë ngritur,
si një thëllëzë naive brenda do të zërë.
Mos u bashko me të keqen
Meqë ke bërë ca punë të mira,
të pëlqen të jesh i privilegjuar,
mbase padashur ti po harron,
se me të keqen je bashkuar.
Mos u ngut
Pa u siguruar mirë për gjënë e re,
mos e prish t`vjetrën, mos u ngut,
duro siç ke duruar o njeri i uruar,
se e vjetra nuk po të kërkon bukë!
Me njëri-tjetrin
Ledhatojmë njëri-tjetrin,
dashurojmë njëri-tjetrin,
i zemërohemi njëri-tjetrit,
xhelozohemi ndaj njëri-tjetrit,
urrejmë njëri-tjetrin,
mallkojmë njëri–tjetrin,
por, s`mund të jetojmë dot,
pa njëri-tjetrin…