Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA mbështet veprimin e Francës ndaj Iranit

Shtëpia e Bardhë mbështet veprimet e Francës kundër operativëve të dyshuar të inteligjencës iraniane, të cilët akuzohen për organizimin e një sulmi terrorist në Paris më herët këtë vit.

Një deklaratë e nxjerrë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë në Twitter mbrëmjen e 2 tetorit, lexon: “Franca merr masa të forta kundër komplotit të dështuar iranian në Paris – duhet që Teherani ta dijë se kjo sjellje skandaloze nuk do të tolerohet.”

Ndërsa zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, u ka thënë reporterëve se tentativa për bombardim ilustron faktin se Irani, siç ka thënë sa e sa herë Departamenti i Shtetit, është “sponsori më i madh i terrorizmit në botë”.
Kjo vjen pak kohë pasi zyrtarët francezë shpallën më 2 tetor se do të ngrinin dy operativët e dyshuar të inteligjencës iraniane të cilët besohet se kanë qenë të përfshirë në tentativën për të bombarduar tubimin e grupit opozitar Muxhahedinët e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Sipas një burimi diplomatik francez, qeveria franceze ka arritur në përfundimin se Ministria iraniane e Inteligjencës (MOIS), specifikisht zevendës ministri dhe drejtori i përgjithshëm i inteligjencës, Saeid Hashemi Moghadam, e kishte dhënë urdhrin për sulmin, i cili ishte organizuar nga diplomati terrorist i Regjimit në Vienë, Asadollah Assadi.

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, e ka lavdëruar gjithashtu  vendimin e Francës.

Një deklaratë nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) lexon: “Kjo gjë hedh baltë mbi përpjekjet e mullahëve dhe agjentëve të tyre për ta paraqitur këtë akt terrorizmi si një masë arbitrare nga grupe fiktive brenda regjimit me synimin për të shfajësuar Khamenei-n, Rouhani-n dhe Zarif-in në lidhje me këtë çështje. Është tashmë e pamundur për Rouhani-n dhe Zarif-in që t’ia veshin bombardimin viktimave të tij, a thua se nuk janë përgjegjës ata për terrorizmin e sponsorizuar nga shteti dhe se nuk janë pjesë e regjimit fashist fetar në Teheran.”

Kjo shfaqje solidariteti midis SHBA-së dhe Francës për sa i përket terrorizmit të Regjimit Iranian mund ta ndihmojë Amerikën për ta bindur Europën që ta braktisë paktin bërthamor të 2015-ës, nga i cili, Donald Trump u tërhoq në maj, në mënyrë që të ushtrojë më shumë trysni mbi Regjimin Iranian përmes sanksioneve paralizuese.

Në këtë kohë, Franca, Britania, Gjermania, Rusia, dhe Kina po përpiqen ende të gjejnë një mënyrë për t’i çaktivizuar sanksionet amerikane dhe për të qëndruar brenda paktit.

Trump u tërhoq nga pakti, duke cituar faktin se ajo marrëveshje nuk ishte e mjaftueshme për të mos e lejuar Regjimin Iranian të ndërtojë një armë bërthamore, të destabilizojë Lindjen e Mesme, të mbështesë militantët terroristë, apo të shtypë popullin e vet.

Please follow and like us: