Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: KU PO SHKON KOSOVË…?!

 

 

Sa më shumë që bisedimet Kosovë-Serbi i afrohen fundit, aq më e dukshme bëhet tradhtia, aq më shumë po duken përmasat e dëmeve që kjo marrëveshje mund të sjellë për shqiptarët.

Janë të shqetësuar të gjithë, i madh e i vogël që i thotë vedit shqiptar.

Skenari është i përgatitur mirë e në lojë, janë futur, udhëheqësit më të lartë të shqiptarëve në rajon.

Çdo gjë filloi me parapërgatitjen e opinionit shqiptar, filloi në kohën kur deklaratat e liderve politikë u mbushën me fjalë të pathëna më parë ose të thëna turbullt e në mënyrë të kamufluar, të veshura në mënyrë transparente, me petkun e diplomacisë.

Në komunikimin publik e mediatik, u futën fjalët, ndarje e Kosovës, këmbim i territoreve, korigjim i kufijve e të tjerë…! Të gjitha këto, po thuheshin për një shtet që kishte kufijtë e vet tradicionalë së paku, qysh në kohën e federatës jugosllave, kufij të përcaktuar e pranuar në marrëveshje ndërkombëtare, të njohur nga 115 shtete të botës e të tjerë.

Ajo që të “befason”, në këto momente të rënda, për fatin e Kosovës, është heshtja e frikshme e politikës shqiptare, inaktiviteti i saj, nënshtrimi i saj neveritës ndaj diktatit europian dhe interesave të Serbisë në rajon.

Gjatë kësaj periudhe, më kanë tërhequr vëmendjen, disa qëndrime të spikatura të intelektualëve e patriotëve shqiptarë, të shqetësuar në kulm, për rrugën në të cilën kanë hyrë bisedimet Kosovë-Serbi.

Pak muaj më parë, analisti e politologu Veton Surroi, komentoi në një intervistë televizive, bisedimet Kosovë-Serbi, duke mbrojtur në mënyrë të argumentuar, domosdoshmërinë e ruajtjes së territorit të sotëm, të Republikës së Kosovës.

Ajo që më mbeti në kujtesë, ishte statusi i përfaqësimit të Kosovës, në bisedimet Kosovë-Serbi, nga Presidenti aktual Thaçi.

Në mënyrë të hapur, Surroi deklaroi se në një Republikë Parlamentare si Kosova, Presidenti nuk ka tagër të nënshkruajë marrëveshje, me të cilat preket tërësia territoriale e vendit, preken interesa ekzistenciale të vet Republikës së Kosovës.

Në një rast të tillë, me të drejtë shtrohen disa pyetje:

A është i vlefshëm dhe a duhet të vazhdojë, përfaqësimi i Kosovës në këto bisedime, nga Presidenti Thaçi dhe ajo që vjen nga pas se si do të sillen qytetarët e Kosovës dhe politika kosovare nëse marrëveshja Kosovë-Serbi do të nënshkruhet e për rrjedhojë, të sjellë dëme të pariparueshme, për interesat shqiptare në rajon?

A do të ketë prishje të ekuilibrit politik në Ballkan emë gjerë, në mes të vendeve të rajonit dhe fuqive të mëdha që fshihen pas tyre?

A do të sillet Presidenti Trump si një diplomat i një rrangu të lartë apo si një kauboj i kohëve moderne?

A do të lejojë ai prekjen e interesave shqiptare në rajon apo do t’i mbrojë ato, ashtu siç bënë historikisht paraardhësit e vet?

Më datën 22 shtator, në një letër me titullin “Thirrje urgjente”, patrioti e profesori, Shaqir Salihu i drejtohet me dhimbje, por edhe me shpresë komunitetit shqiptar në Amerikë. Ai kërkon që ky komunitet të mbrojë tërësinë territoriale të Kosovës, të tregojë edhe njëherë fuqinë e tij, të kontaktojë me Presidentin Donald Trump me shefin e Sigurisë Kombëtare John Bolton si dhe me avokatin e Presidentit, Rudolf Xhuliani. Ai me të drejtë, i trembet takimit të Helsinkit, “midis Presidentit Trump dhe carit të Rusisë, Putin.

Më datë 12 tetor 2018, para opinionit vendas e ndërkombëtar, vjen Memorandumi i Institutit të Europës Juglindore, një dokument me shumë vlerë, ku dëshmohen në mënyrë të sistemuar e kronologjike fakte e prova të dorës së parë, për dëmet që sjelle ndarja apo ndryshimi i kufijve të sotëm të Kosovës.

Ky mémorandum i rëndësishëm e i argumentuar, i drejtohet personaliteteve të politikës botërore si dhe institucioneve vendimarrëse me ndikim në zhvillimet rajonale, europiane e më gjerë.

Të gjitha sa shkrova më lart janë të dobishme e në shërbim të padiskutueshëm për çështjen shqiptare por ato nuk thuhen për herë të parë.

Nuk është hera e parë që politikës europiane dhe asaj botërore i kërkohet shpejtimi i njohjeve të Republikës së Kosovës, ruajtja e sovranitetit territorial dhe pranimi i saj në institucionet ndërkombëtare, por në mënyrë të prerë duhet të themi se shumë pak është dëgjuar zëri i shqiptarëve.

Në zhvillimet më të fundit në Kosovë kemi qasje të reja e zhvillime të papritura. Për herë të parë kemi heshtjen e Shqipërisë, për ndarjen e saj dhe vënien në krye të ndarjes, të Presidentit të Kosovës, dora vetë, Hashim Thaçi.

Ajo që po shfrytëzohet me mjeshtëri nga komshijtë tanë dhe ndërkombëtarët, është ndjenja e shtypjes dhe e nëpërkëmbjes së gjatë të shqiptarëve të Kosovës Lindore. Ata me të drejtë e kanë humbur durimin dhe mezi ç’presin të shpëtojnë nga ‘nata e gjatë serbe’.

Në këto kushte, shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës është e vështirë t’i spjegohet se çështja shqiptare ka prioritete, ka rradhë, ka rrugë në të cilat, me shumë mençuri, duhet të ecim.

Pa u konsoliduar Republika e Kosovës, pa u njohur e garantuar kufijtë e saj me Trepçën e Ujmanin brenda, për fat shumë të keq, nuk e ka rradhën Kosova Lindore.

Këmbimi i komunave respektive në Kosovë; Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, me Mitrovicën e Veriut brenda; me tre komunat e njohura të Kosovës Lindore, aktualisht nuk rezulton i dobishëm për Kosovën dhe çështjen shqiptare në tërësi.

Duhet ta njohim e ta mbrojmë me të gjitha mjetet, territorin e sotëm të Republikës së Kosovës, pa hequr dorë nga të drejtat kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Luginë. Dhe kjo nuk është heqje dorë nga vëllezërit tanë por shtyrje e çështjes për një kohë tjetër, më të volitshme e më të mundshme për zgjidhjen e saj.

Çfarë mendoj unë se duhet të bëjmë?

Sipas mendimit tim janë të nevojshme por nuk janë të mjaftueshme, deklaratat, memorandumet, letrat e peticionet drejtuar institucioneve relevante dhe personaliteteve të politikës botërore. Jam i mendimit se aktualisht shqiptarët duhet të angazhohen në:

  1. Aktivizimi i plotë i njësuar e i përgjithshëm i shoqërisë civile në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë. Aktivizimi veçanërisht i shqiptarëve të diasporës, pranë qendrave vendimmarrëse të politikës botërore, në Bruksel, Washington e gjetkë.
  2. Lobimi pranë institucioneve amerikane të dorës së parë si dhe Presidentit Trump, për të shpjeguar në mënyrë shteruese, pasojat që vijnë nga një ndarje e mundshme e Kosovës e veçanërisht për të argumentuar e provuar, pse nuk duhet ndarë Kosova. Është e rëndësisë së veçantë të spjegohet se marrëveshja edhe nëse arrihet nuk ka gjasa të implementohet. Kundër saj është thuajse krejt politika në Kosovë e veçmas populli shqiptar i Kosovës.
  3. Vënia e politikës shqiptare dhe e kuvendeve të monopolizuara në Tiranë e Prishtinë, me anë të protestave, përballë presionit të shoqërisë shqiptare. Kjo është e domosdoshme të bëhet se deputetët e kuvendeve në Kosovë e në Shqipëri, nuk janë të popullit por të kryetarëve që i kanë zgjedhur.
  4. Forcimi i rolit të diasporës shqiptare, veçanarisht në SHBA e Gjermani, ku ka përqëndrime të mëdha të shqiptarëve, në organizimin e protestave të papara ndonjëherë me thirrjen “KOSOVA NË RREZIK” dhe “ATDHEU NË RREZIK”.

“IDEOLOGJIA E SHPËRBËRJES” së kombit shqiptar e detajuar në institutet e elitave intelektuale serbe, po përparon dukshëm dhe atë që serbët nuk e bënë me luftë, me ndihmën e Rusisë, po e bëjnë në paqe.

  1. Rritja e pranisë dhe e kujdesit të qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës, ndaj shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe forcimi i kontakteve me politikën dhe qytetarët atje për t’iu shpjeguar situatën që kalojnë shqiptarët në rajon.
  2. Forcimi i rolit të Medias dhe intensifikimi i aktivitetit të saj në ndihmë të çështjes shqiptare. Një rol të veçantë duhet të marrë televizioni publik shqiptar, i cili në emisione të specializuara t’i shpjegojë opinionit publik mbarëshqiptar, rrugën ku duhet të ecim si dhe faktorët që e rrezikojnë dhe e pengojnë zgjidhjen e çështjes shqiptare në rajon.
  3. Partitë politike shqiptare duhet të shprehen hapur për këto zhvillime në Kosovë. Është koha të njësojnë mendimet, taktikat dhe strategjitë duke lënë anash BABËZINË e duke punuar për Kosovën e Shqipërinë. Politikanët tanë duhet të hekin dorë nga mendimi haluçinativ se ata bëjnë politikë të madhe e populli nuk kupton asgjë.

Për të gjithë këto aktivitete duhet ndërgjegjësim i plotë e shpirtit patriotik e në të njëjtën kohë duhen edhe para.

Shtetet shqiptare në Kosovë e në Shqipëri duhet ta zgjidhin qesen e të ndihmojnë me të gjitha mënyrat, të hapura, legale e ilegale për të mbrojtur Kosovën dhe pavarësinë e saj politike, territoriale e konstitucionale.

Kjo kohë që ka ardhur me njëmijë e një rreziqe për të ardhmen tonë, duhet të na gjejë zgjuar e në këmbë, të vetëdijshëm për rrugën ku duhet të ecim.

Përfundimi i shumë analistëve e politikanëve se është shekulli i shqiptarëve nuk më rezulton i saktë.

Një përcaktim i tillë dremitës, po na vë në gjumë e kur serbët të kryejnë punë, ne ashtu si veshgjati kur ujku po i hante të brendshmet, do të themi: Ishallah, jemi në ëndërr…!

 

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE

TIRANË, 14 tetor 2018.

Please follow and like us: