Albspirit

Media/News/Publishing

“Zëri i mbytur i gruas”, rrëfim ekskluziv i të mbijetuarës së dhunës seksuale

 

 

“Endem e sfilitem, qaj e merzitem por prap po jetoj”, janë këto fjalët e njërës nga të mbijetuat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rrëfimin e së cilës e sjellë shkrimtarja Marigona Krasniqi përmes romanit “Zëri i mbytur i Gruas”.

 

Në këtë roman shkrimtarja tregon për vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit, duke u fokusuar te sakrificat e grave e vajzave kosovare disa nga të cilat i dhanë fund jetës me dëshirë për të mos u bërë “gjah” i tyre, e disa ishin viktima të brutalitetit seksual që u ushtrua mbi to.

Lufta e fundit në Kosovë, siç dëshmojnë edhe raportet nga organizata të ndryshme, kishte rreth 20.000 vajza e gra të dhunuara seksualisht nga forcat serbe, e që sot njihen si viktima të dhunës seksuale.

 

Pjesë nga recensioni:

NËN PETKUN E LOTËVE…

Me një stil të veçant të të shkruarit dhe një rrëfim sa prekës aq të vërtetë, ky roman të bën për vete qysh në rreshtat e parë, duke të nxitur t’a lexosh të tërin me një frymë.

Përdorimi i figurave si tropet, leksiku, krahasimi, dhe elementeve të tjera stilistike në një rrëfim real, e bën këtë roman unik dhe me një pritshmëri të madhe.

Dashuria e madhe për atëdheun gufon në shpirtin luftarak të Marigonës, e cila me shumë gjallëri  rrëfen për vuajtjet e popullit të Kosovës (duke veçuar periudhën e luftës 1998-1999), dhe rezistencën që ky popull ka bërë ndër vite.

Përmes kryqëzimit të gjeneratave, duke i’u dhënë referencë të kaluarën, i stimulon të rinjtë t’a duan vendin, të arsimohen e të punojnë për të ardhmen.

Karakteri i femrës kosovare ngritet në piedestalin më të lartë për nderin e saj, menqurinë, respektin e dashurinë ndaj familjes e atëdheut, por edhe për bukurinë.

Rrëfimi rrënqethës i zonjës Sila nuk mund të kalohet pa emocione e lot. Një grua e ndershme dhe e lumtur bie viktimë e një jetë plotë vuajtje e paragjykime. Sila ishte njëra nga viktmat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Në banesën që gjykohej të ishte e errët dhe e frikshme sikurse pamja e saj, Sila jetonte fillikat. Ajo nuk ishte shëruar akoma nga traumat dhe mizoria e asaj kohe, por mirësia e shpirtit të pastër ishte ende gjallë.                                                            

Në një botë plotë paragjykime autorja tregon se si ruhet shoqëria e vërtetë, dashuria për njëri-tjetrin. Këtë e paraqesin më së miri personazhet e librit Sumeja dhe Melisa. Përmes tyre autorja shpalosë botën e pastër shpirtërore dhe dashurinë e sinqertë.

Krahas studimeve, vajzat e reja që jetonin përballë Silës kishin një mision: Të zgjidhnin misterin e jetës së zonjës Sila.

Një rrëfim i jashtzakonshëm i autores për sfidat dhe pengesat nëpër të cilat kaluan vajzat për t’a zbuluar të vërtetën dhe për t’a ndihmuar një grua të vetme. 

Me stilin e saj autorja shpesh din t’a mbajë në kurreshtje lexuesin duke e zhvendosur atë  nga  ngjarja kryesore në një tjetër  jo më pak interesante. Nga një ngjarje e dhimbshme dhe emocionale me satirën e saj e tërheq lexuesin në një ambient tjetër relaksues.

Një përshkrim i mrekullueshëm i bukurive natyrore të Kosovës nxitë imagjinatën e lexuesit të udhëtojë në ato vende duke përjetuar ndjesinë e të qenurit aty.

Aq bukur arrinë t’a ndërlidhë imagjinaren me realen, duke ndërtuar kështu  një vepër të vërtetë artistike.

Shota Krasniqi,

Ma. e Gazetarisë

Drenas, 2018

 

 

 

SHËNIME PËR AUTOREN

Marigona Krasniqi u lind në dhjetor të vitit 1993, në Negroc të komunës së Drenasit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Gjakovë. Aktualisht studion Mjekësinë e Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Zëri i mbytur i gruas” është romani i parë i Marigonës, njëherit libri i dytë i saj.

Në dhjetor të vitit 2017 ajo ka botuar librin e parë “Trëndafili kërkon shi”, një pëmbledhje poetike e cila u prit mjaftë mirë nga lexues dhe kritikë letrarë.

Pas kërkesave të shumta nga bashkëatdhetarët “Trëndafili kërkon shi” ka kaluar kufijtë duke arritur edhe në: Shqipëri, Maqedoni, Zvicër, Austri, Belgjikë dhe Amerikë.

Please follow and like us: