Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan: Kashoggi, viktimë e një vrasjeje të egër me paramendim

Sauditët e vranë në mënyrë mizore Jamal Khashoggin në konsullatën saudite në Stamboll pasi e kishin planifikuar vrasjen e tij prej ditësh, tha presidenti turk sot në një fjalim në parlament. Ai foli për një komplot për vrasjen e gazetarit dhe për përpjekje për të mbuluar ngjarjet me shpjegime kontradiktore. Presidenti Recep Taip Erdogan ngriti një numër pyetjesh që ende kërkojnë përgjigje lidhur me çështjen Khashoggi:

Presidenti turk Recep Taip Erdogan tha të martën se vrasja e gazetarit saudit Jamal Kgashogi ishte akt i paramenduar dhe se personat përgjegjës, përfshirë ata që dhanë urdhër për vrasjen, duhen ndëshkuar.

“Dua të flas për fatin e gazetarit Jamal Khashoggi, për të cilin e dimë tani me siguri që u vra në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Dua të jap një analizë të ngjarjeve”.

Presidenti turk Recep Taip Erdogan foli për minuta të tëra për rrjedhën e ngjarjeve që përfunduan me vrasjen e gazetarit saudit, duke përmendur kontradiktat në variantet e dhëna nga autoritetet saudite për fatin e Khashoggit.

Presidenti Erdogan dha hollësi të ngjarjeve duke filluar me ditën para se Khashoggi të shkonte në konsullatën saudite në Stamboll. Ai tha se një numër ekipesh saudite mbërritën në Stamboll për t’u takuar me Khashoggin në misionin diplomatik të Arabisë Saudite dhe çaktivizuan kamerat e sigurisë.

“E fejuara ishte me të kur mbërriti dhe më pas, kur nuk u takuan dhe nuk mori informacion, në 5:15 pasdite ajo kontaktoi autoritetet tona për të thënë se Khashoggi po mbahej kundër vullnetit të tij”.

Nga ky moment hetimet lëvizën shumë ngadalë, pasi konsullata gëzon statusin e mbrojtjes diplomatike. Por ai tha se policia turke ishte e sigurtë se Khashoggi nuk kishte dalë nga ndërtesa, ashtu siç thanë fillimisht sauditët.

Arabia Saudite pohoi javën e kaluar se Khashoggi kishte gjetur vdekjen në konsullatë, fillimisht duke e shpjeguar incidentin si një zënkë që doli jashtë kontrollit, më pas duke thënë se në përpjekje për të mos e lejuar të dilte nga ambasada, u mbajt i shtrënguar prej fyti dhe vdiq nga asfiksia.

Presidenti Erdogan tha të martën se Arabia Saudite ndërmori një hap të rëndësishëm kur pranoi se Khashoggi ishte vrarë në konsullatë, por ai pret nga udhëheqja e vendit të mbajë përgjegjës të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë akt. Ai tha se nuk mund t’u hidhet faji vetëm operativëve të zbulimit dhe sugjeroi që gjyqet të kryhen në Stamboll pasi akti u krye në këtë qytet.

Zoti Erdogan e përfundoi fjalimin me një numër pyetjesh që kërkojnë përgjigje: ku është trupi i Khashoggit, kush dha urdhër për dërgimin e ekipeve në Stamboll dhe përse Arabia Saudite dha variante të ndryshme për fatin e tij.

Ndërkaq sot media turke bëri publike një video ku thotë se shihet një person i veshur me rrobat e Khashoggit, duke shërbyer si dublant për të krijuar përshtypjen se gazetari kishte dalë nga konsullata.

Drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel u nis dje për në Turqi për t’u takuar me zyrtarët që po hetojnë vrasjen e Khashogit. Administrata Trump nuk ka thënë gjë publikisht për nisjen e saj./voa/

Please follow and like us: