Me Bejkon dhe Blloshmin për shtëpinë muze të poetëve martirë
Sot, në 24 tetor 2018 së bashku me Bedri Blloshmin, ish i përndjekur politik dhe poetin Sadik Bejko udhëtuam drejt Prrenjasit ku morëm një takim me kryebashkiaken Miranda Rira për të biseduar rreth kthimit në shtëpi muze të poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
Kohë më parë të tre së bashku i jemi drejtuar me shkrim kryeministrit Edi Rama, Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë si dhe disa institucioneve të tjera. Po ashtu Agron Tufa, në emër të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit i është adresuar me një shkresë zyrtare Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro ku i kërkon që shtëpia e poetëve martirë në Bërzeshtë të Prrenjasit të shpallet Muze Kombëtar.
Kryebashkiakja e Prrenjasit shprehu gatishmërinë për të bërë gjithçka që varej nga mundësitë e saj që shtëpia e kahershme të rikthehet në pikë muzeale dhe si një pelegrinazh për takim krijuesish nga vendi e rajoni në marsin e ditëlindjes së dy poetëve të pushkatuar nga diktatura.
Poetët martirë
Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.
Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.
Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. U implikuan 39 persona. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, përfshi trajtimin e ekspertizave letrare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.
Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.
Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977.