Pse të mos bëhet Shqipëria shteti i hebrenjve?
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu do të vizitojë Shqipërinë në datën 1 nëntor, njoftojnë mediat izraelite duke iu referuar një njoftimi për shtyp të zyrës së kryeministrit. Vizita në Tiranë, është stacioni i parë i një turneu të zotit Netanjahu në Bullgari, Greqi, Rumani, Bullgari dhe Serbi.
“Vizita në Shqipëri, një vend me shumicë myslimane me lidhje historikisht miqësore me Izraelin, do të jetë me sa duket një udhëtim i nivelit më të lartë nga një izraelit në vend. Në vitin 1994, ministri i atëhershëm i Jashtëm, Shimon Peres vizitoi Tiranën dhe vitin e kaluar qyteti përkujtoi udhëtimin me një pllakatë për ish-burrështetasin”, shënojnë mediat izraelite.
Vizita e zotit Netanjahu duket se është në përgjigje të ftesës që zoti Rama i bëri atij tre vjet më parë kur vizitoi Izraelin. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të mira dhe historia e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore është shumë e njohur.
Por gazeta Haaretz shkruan se në vitin 1935, një gazetar britaniko-zionist, Leo Elton, udhëtoi në Shqipëri për të parë nëse është vendi i përshtatshëm për vendosjen e izraelitëve. Ishte periudha kur hebrenjtë po persekutoheshin egër në Gjermani dhe kishte nisur të mendohej për një zgjidhje për vendosjen e izraelitëve.
Elton shkruante se idenë e kishte marrë nga gazetat britanike që shkruanin se qeveria shqiptare i mirëpret emigrantët hebrenj. Në Shqipëri, një ministër i tha gazetarit se vendi njihet për tolerancën fetare dhe për faktin që myslimanët nuk janë fanatikë.
Gazetari e shihte me entuziazëm këtë alternativë, duke theksuar se Shqipëria nuk ka histori anti-semitizmi. Për më tepër, shkruante ai, portokallet dhe limonat janë më të mirët në botë dhe hebrenjtë janë të suksesshëm në rritjen e tyre. Të tjera sugjerime përfshinin rritjen e duhanit dhe krimbave të mëndafshit si dhe ngritjen e një industrie të vajit të ullirit dhe tekstileve.
Elton shkruante megjithatë se problem mbetet që kryeqyteti, Tirana, nuk ka salla koncertesh dhe teatro.
Sipas tij, fillimisht në Shqipëri do vendoseshin mijëra izraelitë si në Palestinë, duke krijuar një entitet. Më pas Shqipëria mund të kthehej në shtëpinë e kombit izraelit.
Nuk dihet nëse ideja u diskutua gjerësisht zyrtarisht, por Elton duket se pati të drejtë për diçka: Shqiptarët vërtet i shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.