Kur Kasem Trebeshina kërkoi të rikthehej në ushtri, Liri Belishova i shkruan Reis Maliles
Kastriot Dervishi
Në fund të vitin 1949 Kasem Trebeshina, student në Institutin “Ostrovski” në Leningrad kërkon që të ndërprerë studimet. Një praktikë dokumentesh, disa raporte, tregojnë historinë e ndërprerjes së këtyre studimeve. Trebeshina njihet si një ndër themeluesit e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (paraardhësja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes), prej së cilës është larguar vetë. Duke qenë në Bashkimin Sovjetik, Trebeshina kërkoi të rikthehej në ushtri e të ndërpriste studimet. Drejtoresha e Drejtorisë së Organizimit dhe Inspektimit në KQ të PPSH-së, Liri Belishova, nga Tirana, 25.1.1950 i telegrafon sekretarit të parë të legatës shqiptare në Moskë, Reis Malile:
“Pretendimi i shokut Kasem Trebeshina se gjoja nga ana e Komitetit Central dhe e Drejtorisë Politik të Ushtrisë Popullore, nuk është sqaruar në lidhje me lutjen e tij bërë pas kongresit të parë të PKSH-së, nuk është i drejtë. I lartpërmendur para se të largohej nga Shqipëria është thirrur dhe sqaruar si nga shokët e Kolegjiumit pranë Komitetit Central, ashtu dhe nga Drejtoria Politike e Ushtrisë Popullore. Shoku Kasem, kishte kërkuar vetë të largohej nga ushtria, dëshirë që ju plotësua. Pas kongresit, ai kërkon të rikthehet në ushtri. Kjo dëshirë nuk mund t’i plotësohej se nuk paraqitej nevoja më për kuadro në ushtri. Për këto arsye, është sqaruar dhe prandaj nuk ka përse t’i ngeje më këtë gjora. Për çështjet e tjera që ai ngre, të thirret nga ju dhe të sqarohet. Lajmëroni përfundimin dhe qëndrimin e tij pas këshillimeve tuaja”.