Albspirit

Media/News/Publishing

OSBE kritikon Moskën për shkak të gjobitjes të një media të pavarur

Përfaqësuesi për lirinë e mediave i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka dënuar gjobën “mjaft të lartë” të vendosur nga një gjykatë në Moskë ndaj medias online, The New Times.

Në një deklaratë për media, përfaqësuesi për lirinë e mediave në OSBE, Harlem Desir i ka bërë thirrje autoriteteve ruse që të mbrojnë lirinë e mediave dhe pluralizmin e mendimit.

Një ditë më herët, një gjykatë në Moskë gjobiti The New Times me 339 mijë dollarësh. Gjoba u vendos edhe kundër kryeredaktores të kësaj ueb-faqeje, Yevgenia Albats, për siç është thënë, dështimit për të raportuar financat, ashtu siç kërkohet në Rusi, nën “Ligjin për agjentët e huaj”.

“Gjoba jashtëzakonisht e lartë e vendosur ndaj New Times është një vendim i paprecedentë, që është i dëmshëm për lirinë e mediave në Federatën Ruse”, ka thlnë Desir. Ai po ashtu ka thënë se shpreson që vendimi të rrëzohet nga Gjykata e Apelit dhe i bëri thirrje Moskës që të rishikojë Ligjin për agjentë të huaj, që ka për qëllim të vendos kufizime ndaj “organizatave që kryejnë funksionin e agjentëve të huaj”.

Sipas ligjit, organizatat ruse, të cilësuara si agjentë të huaj, duhet të përmbushin një varg kërkesash dhe raportimi i financave të tyre është një procedurë mjaft e vështirë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Albats ka thënë se prokurorët tash e një kohë të gjatë e kanë hetuar The New Times, por vendimi i gjykatës është marrë brenda disa orësh. Ajo ka thënë se beson se ky vendim i përshpejtuar ka pasur për qëllim që ta ndëshkojë atë, për shkak se ajo ka bërë një intervistë më herët gjatë kësaj jave, me politikanin opozitar, Aleksei Navalny.

Albats ka thënë se ajo do ta apelojë këtë vendim./rel/

Please follow and like us: