Albspirit

Media/News/Publishing

Vrasja në Bularat, reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar, pas vrasjes së një të riu  në Bularat të Gjirokastrës. Kjo ministri thotë se shpreh keqardhje për faktin se sot u shua një i ri, por se nga ana tjetër shpreh po ashtu keqardhje për politizimin e çështjes.

Reagimi i MEPJ e Shqipërisë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Please follow and like us: