‘Bisha shkodrane’, artistja shqiptare që shkëlqen në skenat e diasporës
Ekskluzive/Vilma, Bisha Shkodrane, artistja shqiptare që shkëlqen në skenat e diasporës
Hermes Nikaj
Vilma sot është një ndër këngëtaret më të pëlqyera dhe fama e saj i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Sot ajo është një ndër këngëtaret më të suksesshme dhe këngët e saj padyshim kthehen në hite. Ndërkohë klipi i saj i fundit u prit shumë mirë nga fansat, një projekt i arrirë dhe me shumë profesionalizëm.
Le të ndalemi pak tek projekti juaj me i fundit, na tregoni diçka me tepër?
Po, së shpejti vjen ‘Dashni prej miljoneri’, por nuk dua të ndalem shumë me detaje për t’ua lënë surprisë.
A mbani ditar apo shënime?
Jo, nuk mbaj ditar. Nuk mbaj as shënime dhe më vjen keq për këtë gjë. Do të doja që vite më pas t’i rikthehesha për të kujtuar, reflektuar mbi çka kam përjetuar.
Jeni e ndjeshme?
Jam pak e ndjeshme, por kam përshtypjen se shumë femra janë si unë. Ndjenja është e pallogaritshme dhe lotët, gjithashtu.
Jeni ndër të paktat artiste që nuk keni bërë kompromise me komercialitetin. Pse?
Një artist i vërtetë duhet të ketë kufijtë e vet, si të sillet në skenë, asaj çka do t’i japë apo mësojë të tjerëve. Një artist duhet të jetë një shembull i mirë dhe pozitiv për të tjerët.
Çfarë do t’i këshilloje këngëtareve të reja?
Të jenë vetvetja. Sot mungojnë këngëtarët që kanë karakterin e tyre përsonal apo individualitetin muzikor.
E konsideroni veten njeri me fat?
Po, gjithmonë e them. Lutem dhe e falenderoj Zotin që m’i ka dhënë gjithë këto të mira.
Jeni munduar shumë për të arritur këtu ku jeni?
Një individ rritet, krijon karakterin dhe personalitetin e vet në bazë të familjes që ka. Sigurisht që më është dashur shumë punë dhe mund për të arritur këtu ku jam sot.
Jeni ndjekëse e modës dhe e trendeve të fundit?
Unë që e vogël kam qenë gjithnjë e kuruar në imazh. Sigurisht që e ndjek modën sepse më pëlqen e bukura.
Bisha & thashethemet, a jeni ndjerë e prekur?
Ne shqiptarët kemi një të keqe të madhe, që do të na shoqërojë për shumë kohë. Ai që punon gjithnjë sulmohet dhe mjedisi që na rrethon merret me llafe.
Kur do t’iu shohim në festivale?
Nuk kam frikë të këndoj ‘live’, por nuk i dua festivalet, pasi këtu në Shqipëri gjithçka është me mik. Unë kam vite që këndoj ‘live’ dhe ndjehem e vlerësuar nga fansat e mi.
Jeni shumë sexy dhe detyrimisht në qendër të vëmendjes nga pasanikët apo politikanët, a ju bien në qafë?
Po, kam pasur oferta nga politikanë të lartë, ministra apo drejtorë të lartë, por i kam refuzuar.
Të qënit e pëlqyer e bën më të bukur ekzistencën e një artisti?
Sigurisht që po. Ne të gjithë krijojmë ‘artin’ tone, por më pas është audienca ajo që e vlerëson.
Kur mbaron zakonisht dita jote?
Vonë! Rreth orës 3 apo 4 të mëngjesit kur jam e ftuar në mbrëmje festive ose diasporë.
Jeta profesionale po shkon mirë, po plani sentimental?
Gjithçka shkon mirë.
Unë dua ta mbyll këtë intervistë duke ju uruar suksese të mëtejshme në projektet tuaja.
Faleminderit Hermes, ishte kënaqësi.