Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Pse ‘antenat’ e Ramës tërbohen nga ‘mustaqet’ e Bitros?

 

Pa ndonjë shkak të arsyeshëm (po të përjashtojmë bezdisjen e rreshtimit tim me vijën e atyre që kërkojnë rrëzimin e Ramës) sekti i kokërruarve, që për të fshehur lakuriqësinë e kafkës së tyre, tullacinë e shpirtit dhe kallogjerinë e parakohshme, ngatërrojnë kekun me byrekun, më kanë bërë nder duke më sulmuar me antenat e ndryshkura të pushtetit mediatik të oborrit kryeministror. Dhe ashtu si dikur në fillimet e lëvizjes studentore të vitit 1990 ku baltosej dhe anatemohej secili prej mbështetësve të rrëzimit të bllokmenëve dhe trashëgimisë së tyre, ekzaktësisht në periudhën e shkundjes dhe përballjes shoqërore me falsitetin dhe antihumanizmin e qeverisë Rama, sërish mekanizmi i kalbur dhe mosmirënjohës i veglave të vetofruara të pushtetit, përpiqet të kompleksojë mua personalisht dhe të tjerë që fuqishëm qëndrojmë kundër Kryeministrit rrenacak gjoja të rilindur. Fatkeqësisht nga antenat e një webi pa fantazi e të mbetur me gisht në gojë nga humbja e kredibilitetit njerëzor, të shkelmuar jashtë derës së familjes brenda së cilës merrte e jepte sekrete për të cilat iu desh të përbetohej publikisht se nuk u përkiste, qenkam përmendur sëbashku me një sërë emrash të tjerë. Antenat e degraduara dhe të vetofruara ndaj një pushteti antiqytetar duke qenë se u duhet të mbajnë rreshtat e parë në tavolinat e pas xhamave të mëdhenj të kafeve dhe pasticerive të ish –bllokut dhe të jenë gjithmonë në vëmendje të Kryeministrit për ta argëtuar atë në rolin e lolove publikë, paskan kthyer valët e tyre mbi personin tim. Sigurisht, me rubrikat e tyre bajate dhe me keqdashësi shembullore, Bezet e fasadave mediatike kryeministrore janë bezdisur ca nga qëndrimet e mia pro të vërtetës dhe sesi u duket që zëri im të jetë në mbështetje të ortekut që ka vënë përpara Ramën dhe kokëzbathurit e oborrit të tij mediatikë. Rrugac e cilësonin dikur edhe të ndjerin Azem, por ua q…ethi mirë pushtetin ai derdimenëve që helbete nuk mund të godasin pemën pa frut. Është e tepërt që të kujtoj se kokëzbathurit që kanë telekomandën e antenave apo portaleve jetojnë në një botë virtuale klikimesh, pëlqimesh e fitimesh. Ata edhe punët e tjera virtualisht i bëjnë dhe pastaj kur zgjohen në mëngjes kthjellohen dhe vrasin mendjen se përse mbeten vetëm. Në fakt nuk janë edhe aq vetëm, kanë ca shpirtëra të vdekur që u bëjnë shoqëri e kujtojnë se të shkruajnë nga fb tekstet e përgatitura mbrapa atyre xhamave të xhelaterive eskluzive përgjatë ish bllokut, fitojnë ndonjë votë apo ndonjë simpati të re. Koha e tyre ka përfunduar dhe janë thjesht kadavra përcarëse qesharake. U ka mbetur vetëm njëri-tjetri për ngushëllim… Ndërsa antenës së ndryshkur e të mbaruar të transmetimit të lodhur të valëve pro Ramës që e bezdisin të gjithë të palëkundurit e ata që fati u dha edhe flokë edhe mustaqe, edhe burrëri, shpejt do e shohë fundin e merituar të padronit të tij politik. Atëherë çfarë do bëjë me” lirinë” e tij ky shakaxhiu i antenave kokëulura???

Please follow and like us: