DYFYTYRËSIA E KRYEMINISTRIT TË VENDIT TIM…!
Ilir Çumani
Në një nga emisionet e radhës të gazetarit në “Zonë e Lirë”, Arian Çani, ku ishte i ftuar kryeministri Edi Rama, ky i fundit u shpreh: “…. E di kush është dallimi midis një të djathti dhe të majti…!? Kur i djathti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ai, aty e meriton të jetë, sepse aq ka. Kur i majti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ka diçka që nuk shkon me këtë shoqëri që ai është aty….”, – thotë Edi Rama.
Dhe kush e bën këtë leksion morali në një media me audiencë kaq të lartë të ndjekjes dhe shikueshmërisë…!? Kush i thotë këto fjalë me zë dhe me figurë…! Një njeri që i urren të varfërit e vendit të tij, që bezdiset dhe sëkëlldiset nga mëngjesi deri në darkë prej tyre, një i pashpirt, hipokrit dhe demagog që nuk lë pa përdorë çdo mjet propagandistik për tu shfaqur ai që nuk është; me synimin e vetëm per të mbajtur dhe ruajtur pushtetin që i’a ka parë hairin si askush politikan tjetër, që e ka mjelë atë si lopën hollandeze.
Ai që ka hapur gropën më të zezë sociale në këto 5 vjetë të qeverisjes përmes një politike antihumane e represive në dëm të të varfërve dhe në favor të të pasurve. Ai që e ka çuar vendin në humnerën më të rrezikshme sociale, duke nxjerrë me pa të drejtë dhe pa një studim të mirëfilltë analitik nga skema e ndihmës ekonomike, plotë 20.000 familje të varfëra. Ky që e ka shqepur popullin në taksa, taksa, taksa dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë përfunduar dhe përfundojnë në pak duar të miqvë të tij përmes PPP – ve.
Ai që e ka rritur borxhin publik duke ia faturuar këtë faturë financiare borxhi edhe brezave që vijnë, fëmijëve që ende nuk kanë lindur. Ky që përdhosi dinjitetin njerëzor dhe vrau shpresën e të rijnve, duke dëbuar nga vendi nëpër rrugët e evropës e të botës plot 500.000 shqiptarë. Ky që burgosi më të mjerët e vendit, më të pamundurit, pleq e fëmijë që donin pakëz dritë, por që për shkak të varfërisë që ua uli këmbëkryq në vatra çdo shqiptari, nuk mundnin dot ta paguanin energjinë ekektrike. Ai që me policë bashkiakë, ka bërë dhe bën terror duke tërhequr zvarrë fshatarë, gra e fëmijë, shqelmon tezgat e tyre mjerane duke i konfiskuar atë çikë prodhimi të baçeve që i shesin sa për të nxjerrë bukën e gojës.
Ky, që vetëm taksën e ajrit që thithim nuk ka mundur të tarifojë deri tani dhe këtë është gati ta bëjë në çdo moment. Ky që largon me dhunë nga konviktet të rijntë jetimë, të pastrehë e të pambrojtur, që nxjerr në rrugë të madhe plot 350 familje me gra, pleq e fëmijë në pikun e të ftohtit, shkatëron shtëpitë e tyre pa i kompensuar, që është një detyrim ligjor dhe kushtetues, (veprim arbitrar që vjen në kundërtshtim të hapur dhe flagrant me Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut, me parimet më elementare të jetës dhe humanizmit, që ka të bëjë me të drejtën e pasjes së një strehe mbi kokë).
Së fundmi, ky që tenton të fusi duart në xhepat e studentëve më të varfër të Evropës, ky, Edi Rama, fatkeqësht Kryeministri i vendit tim, i yti, i joni, i përketë vetëm një forcë politike radikale dhe ekstremiste, por kurrsesi një forcë politike të së majtës. Ai nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me të majtën, me doktrinën e saj në mbrojtje të të varfërve, të më të pamundurve, të më të dobtëve. Sepse në fakt, vetëm të majtë nuk ka sot Shqipëria. Ka vetëm një çetë të pangopur kleptokratësh, që me politika shtypëse e represive dhunon dhe varfëron dita ditës qytetarët duke i futur duart në xhepa popullit më të varfër të Evropës….!