Çiljeta Olli Simaku: Dilema njerëzore para një vendimi
Kur nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë, kur jemi shumë të paqartë për të marë një vendim, idealja është që të mos bëjmë asgjë,..presim dhe marrim kohë. Nëse e lejojmë veten të na marrë përpara padurimi, frustrimi, ankthi apo preokupimet, ka shumë mundësi që të kryejmë një veprim të gabuar për të cilin mund të pendohemi.
Kjo formë Budiste e qetësimit të mendjes ështe ekuivalente në fushën e psikologjisë me distancimin emocional ndaj problemit që na ka mbërthyer kokën. Objektivi është të gjejmë qetësinë e nevojshme mendore për të analizuar aspektet e shumta të problemit. Praktikisht në vend që të reagojmë nxitimthi të shqetësuar nga mendimi “duhet të bëj urgjent diçka”, bëjmë ekzaktësisht të kundërtën; qetësojmë ujrat e mendjes sonë dhe presim kohën e nevojshme.
As mendimet nuk janë aq llogjike dhe as emocionet nuk janë aq iracionale.
Është mirë të jemi të durueshëm me veten tonë derisa të gjejmë qetësinë. Harrojmë shumë shpesh, sepse prej shekujsh jemi të zhytur në një formë mendimi Descart-ian që vendos në piedestal arsyen dhe i ul emocionet në një nivel më poshtë. Për të marrë vendimin e duhur duhet të jemi të vetëdijshëm që as emocionet nuk janë aq irracionale dhe as mendimet aq llogjike. Mendimet tona mund të bëhen ekstremisht irracionale dhe katastrofike dhe madje mund të na bëjnë të zhvillojmë një optimizëm dëmtues. Nuk duhet të harrojmë se shumë “furtuna mendore” formohen pikërisht nga këto mendime jashtë kontrrolli. Në këto raste po iu dhamë vëmendje mund të rezultojnë shumë të rrezikshme. Edhe emocionet mund të na shpien në një gjendje mendore konfuze, por janë shenjë e dëshirave dhe refuzimeve tona më intensive, keshtuqë në disa raste është mirë t’i fusim në llogari si një variabël me peshë. Jo më kot kohët e fundit po zbulojnë inteligjencën intuitive dhe kërkimet thonë se ne disa situata është mirë të vendosim duke ja lënë veten në dorë “intuites”.
“Mrekullia” është së kur arrijmë ta qetësojmë mendjen, kur arrijmë një gjendje paqeje të brendshme, mendimet dhe emocionet ndërthuren duke bërë të mundur të shohim më qartë problemin dhe në një prespektivë më të gjerë. Natyrisht kjo nuk garanton që vendimi ynë do të jetë më i miri, nuk ka formula magjike, por do të jetë mesiguri më i miri për ne në atë moment. Është pikërisht kjo më e rëndësishmja !