Dhimitër Gjoka, “Njeriu i Vitit 2018″ nga Fondacionin ”Harpa”
Dhimitër Gjoka: Në 10 Nëntor 1974 kur u futa në studion e Radio Tiranës më ranë letrat e lajmeve nga duart
Albert Z. ZHOLI
Këto ditë folësi dhe regjisori televiziv Dhimitër Gjoka mori një çmim special. Fondacioni ”Harpa” e nderoi atë me çmimin “Njeriu i Vitit 2018”. Me këtë rast Gjoka në një status të tij në facebok shkruan: Respekt dhe mirënjohje për fondacionin që vlerësoi emrin tim mes personaliteteve të shquara të fushës së artit, kulturës, letërsisë, etj.
Kush është Dhimitër Gjojka?
Një jetë në ekran madje nga njëri stacion prestigjioz në tjetrin, me hapa të vendosur Gjokën për mëse 40 vjet e gjen aty ku televizioni merr frymën dhe përfomancën e kohës. Pra, si një folës i rrallë në labirinthet e pafundme të medias vizive, në kërkim të së bukurës, prefektes, të veçantës Gjoka ka lënë emrin e tij të veçantë. Dhe “Oqeani televiziv”, ku ai punon sa më thellë të futesh aq më shumë xhevaire të rralla ka. Në këtë rrugëtim Gjoka përcjell tek teleshikuesit një jetë plot emocione, përgjegjësi, kërkesa, që përmblidhen brenda formatit të një profesioni sa delikat po aq dhe të bukur. Dhe pse mes sfidave të kohës ku të rinjtë përcjellin ide ndryshe Gjoka di të mbijetojë dhe të dalë fitues pasi ai mbetet bë punë gjithmonë i freskët dhe energjik, potent dhe sharmant, madje kështu kujtohet që nga fillimet e tij, spikeri elokuent Dhimitër Gjoka, puna e të cilit është përmbledhur tashmë në RTSH, “Top Channel”, ALSAT< Neus 24 dhe së fundi sërish në Shtëpinë e Vjetër, TVSH, gjithmonë në edicionet kryesore të lajmeve. Prej vitesh e njohim si një përcjellës të lajmit në televizionet më të rëndësishme shqiptare duke pasur parasysh se ai është dhe një regjisor i diplomuar që i ka dhënë sigurinë, por dhe të qënit luajal në përcjelljen e lajmit. Fillimet e tij janë si folës i lajmeve në Radio Tirana dhe më pas në TVSH, ku punoi për një kohë të gjatë edhe si regjisor i shumë emisioneve, koncerteve dhe dokumentarëve. Ndoshta është një nga folësit më të kompletuar. Profesionalizmi i Dhimitër Gjokës ndërthuret edhe me look-un e tij. Ai është njeriu që ka gjithmonë veshjen e duhur, duke e përcjellë fjalën bukur duke ruajtur sensin e masës në raportet dimensionale të përputhura që kërkon larmia dhe gjeografia e lajmit. E veçantë ?..Kurrë nuk bën asgjë të tepërt në ekran. Sipas shumë specialistëve të kësaj fushe, ai mbetet një nga emblemat e pazëvendësueshme të folësave radiotelevizivë shqiptarë të të gjitha kohërave, që koha dhe pse kalon, profesionalisht atë po e lartëson. Por mbi të gjitha ai mbetet një intelektual i hapur dhe komunikues, arti më i vështirë në shoqërinë e sotme shqiptare në këtë tranzicion, ku karakteret njerëzore janë shpalosur me ngjyrat e tyre më të vërteta.
Profesioni është pjesë e jetës
Nuk mund të kuptohet jeta pa profesionin. Ka shumë përkufizime për profesionin. Të bësh profesion do të thotë të ruash sensin e masës, të jesh i kujdesshëm, profesional, të mos e teprosh. Kur je në ekran teleshikuesi të mat dhe lëvizjen e qerpikut dhe dëshirën ose mungesën e saj para kamerave. Kështu që Gjoka e ushqen veten më dëshirën për të qenë mirë e për të bërë profesion. Ai kërkon të panjohurën dhe të ndryshmen në profesion. E nesërmja është gjithnjë premierë për të.
Shkolla e parë Radio Tirana
Radio Tirana ishte shkolla e parë apo Akademia e dytë për Dhimitër Gjokën. Radioja e mrekulloi, televizioni e magjepsi. “Ishte 10 Nëntor 1974 kur u futa në studion e Radio Tiranës. Isha në studio me të madhin Viron Noti. Pikërisht ishin lajmet e orës 10:00. Kisha shumë emocione. Në duar mbaja letrat e lajmeve. Duart filluan të më drisheshin dhe letrat ë ranë në tokë. Shtanga! U hutova! U mbulova nga djersët. Nuk dinja çtë bëja. Viron Noti mbylli sinjalin e komunikimit, mblodhi letrat, mi vuri përpara duarve dhe vazhdoi vetë lajmet. Në fund ai i buzëqeshi dhe filloi të më jepte kurajo.”- kujton Gjoka. Ishte në merak. Kishte frikë se mos e largonin nga radioja. Përgjegjësi i emisionit të lajmeve Taqo Katro, i dha kurajë. Ishin njerëz që të kuptonin. Kjo ditë ishte dita më e vështirë e tij në rrugën e gjatë, të vështirë, të bukur, të folësit. Ky ishte besimi që i dha pashkëputshmërinë nga mikrofoni.
Kur shikon pas…
Koha ecën dhe ka të papriturat e saj…Kur e kthen kokën mbrapa thotë se ka rrugëtuar shumë por me shumë punë, këmbëngulje dhe proivime nga jeta. Kur sheh para thotë se s’ka ecur fare. Por di që ka punuar shumë. I është përkushtuar televizionit me shpirt, me pasion e me dëshirë dhe shumë gjëra të tjera i ka lënë mangut nga vetja. Ka braktisur shoqërinë në kohë dhe situata të caktuara, kjo në kuptimin e mirë të fjalës. Në vend që të pinte një gotë birrë me miqtë ka preferuar më shumë të merrej me punë. Kjo në fillim të karrierës kur kishte nevojë të ishte sa më pranë kamerës, sa më pranë profesionistëve për të thithur gjithçka nga profesioni i idhujve. Pra të qenit folës mbetet një profesion që e ka bërë me shumë dashuri.
Njeriu i thjeshtë
Me Dhimitër Gjokën kam vite të tëra miqësi dhe kam zjvilluar disa intervista. Ajo që më bën përshtypje është thjeshtësia dhe mirësia që ka ky njeri në përditshëmri. Çdo rezultat e kthen në përgjegjshmëri dhe çdo vlerësim në përkushtim. Jeton jashtë lumnejve të thashethemeve dhe fjalës së keqe por përcjell ide dhe vizion në profesion. Çmimi i fundit është një vlerësim i merituar për njërin fjalë pak dhe punë shumë.