Albspirit

Media/News/Publishing

Dorëheqje që na kujtojnë se kush janë Dhori, Mynyri, Muzaferi dhe Gudari

Mediat greke raportojnë për dorëheqjen e presidentit të Universitetit Ndërkombëtar Helenik të Selanikut, Costa Grammenos, për një arsye që në Shqipërinë e kolegëve të tij akademikë, do të dukej fare qesharake. Grammenos i kundërvihet planeve të prezantuara nga kryeministri Alexis Tsipras për binjakëzimin e këtij institucioni me tre kolegje teknike të Greqisë Veriore. Akademiku, që është president qysh prej themelimit 10 vjet më parë, mendon se një hap i tillë do të minonte reputacionin e tij duke krijuar bashkime me institucione të një kalibri më të ulët.

Gazeta greke “Kathimerini” shton se sipas disa burimeve ministri i Arsimit, Costas Gavroglou ka pranuar dorëheqjen.

Ndërkohë në Itali raportohet se ka dhënë dorëhqeqje Drejtori i Instutit Superior të Shëndetit, Walter Ricciardi, sipas të cilit qeveria aktuale italiane ka pozicione antishkencore. Sipas tij edhe deklaratat e zv. Kryeministrit Salvini për vaksinat janë të tepërta pa folur për lidhjet që shpik Salvini mes emigracionit dhe sëmundjeve.

Lajmet vijnë nga vende afër Shqipërisë, që kanë patjetër një sistem arsimor dhe universitar më të mirë sesa ne, por jo të ndonjë niveli të krahasueshëm me Europën, në rastin e Greqisë. Greqia ka ngjashmëri të shumta me vendin tonë, në strukturën sociale, ekonomike dhe në mentalitet, edhe pse duhet të pranojmë se diferencat kryesore janë tek elitat. Italia është tjetër gjë, por aty banalizimi i politikës ka mbërritur në pika të ngjashme me Shqipërinë që ka huazaur shumë nga skemat malinje të saj.

Mirëpo një akt dorëheqjeje për arsye të kësaj natyre na kujtojnë se sado të kërkojmë ngjashmëri me Greqinë apo vendet fqinje, sado të themi se jemi po njësoj me ta, morali i shoqërive fqinje me ne ndryshon. Për konicidencë, pak javë më parë ne dëshmuam sesi një kryeministër u lëshua me arrogancë në një takim me rektorë dhe dekanë duke i trajtuar ata si konviktorë të cilëve po u ndërronte dhomat. Bashkë me arrogancën e Edi Ramës doli në siëprfaqe edhe e vërteta e këtyre hajdutëve me tituj akademikë që siç u tha kanë makina edhe mbi 50 mijë euro, që janë aty prej vitesh e vitesh, që kanë kultivuar instinktin e mbijetesës dhe që mund të gëlltisin çdo kritikë dhe akuzë.

Akademikë që bëjnë biznes me universitetin, por që siç po duket edhe kësaj radhe nuk do t’y hyjë gjemb në këmbë. Shpesh thuhet se tranzicioni relativizoi shumëçka. Ky nuk është rasti për profesoratin e universitetit apo akademikët që vënë firmën në çdo parathënie, që tregëtojnë titujt dhe që pranojnë detyra në çdo kioskë që shpallet si universitet dhe që fitojnë mjeshtëri në korrupsion. Akademikë që shkëmbejnë kandidaturat: njëherë njëri kryetar e tjetri nënkryetar dhe pastaj, tjetri kryetar dhe njëri kryetar…

Është normale që përkundrejt këtyre mamuthëve ky Grammenos të duket fare naiv, i leshtë madje dhe i dobët. Sikundër na duket të gjithëve e dobët edhe shoqëria greke pikërisht pse nuk ka të ngritur në piedestal modelin mashkullor të kriminelit dhe atij që bën ndonjë marifet. Është gënjeshtra që na mban gjallë status quonë, pasi sot ne shohim sesi reagon shqoëria greke, apo ajo e vendeve fqinj, sesi protestohet dhe për çfarë protestohet. Sesi edhe kryeministrat që janë mjeshtër të demagogjisë nuk përfliten për prokurime milionash që i detyrojnë të bëjnë kllounin, të invadojnë edhe kohën e humorit dylekësh të shoë televizive të shpëlara, si e si për të ngatërruar perceptimin e njerëzve.

Kjo gjendje e mjerë është në fakt premisa e çdo radikalizimi, qoftë edhe të pak fanatikëve që dikur patjetër do të shfaqen. Ose është edhe premise e shndërrimit të Shqipërisë në një lloj republike bananeshe ku droga është ekonomi dhe prostituimi shërbim, çka e bën edhe regjimin juridik që masturbohet me vlera dhe referime të drejtash, të qëndrojë kaba mbi moralin e një shoqërie të dorëzuar.

Le të pyesim p.sh meqë jemi tek universiteti: Për çfarë arsyesh mund të japë dorëheqjen Dhori Kule apo Mynyr Koni? Për asnjë arsye, përveçse telefonatave të duhura./respublica/

Please follow and like us: