Trump mohon akuzat për bashkëpunim me Rusinë
Presidenti Trump mohoi sot të ketë punuar ndonjëherë për Rusinë, duke iu përgjigjur kështu një pyetjeje që nuk pranoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt gjatë një interviste në fundjavë. Duke folur për gazetarët nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, para se të nisej me helikopter për në Nju Orlins, Trump tha se disa ish zyrtarë të FBI-së dhe të Departamentit të Drejtësisë njihen si “njerëz të poshtër” dhe “policë të fëlliqur”. Presidenti i bëri këto komente si reagim ndaj një artikulli të gazetës “New York Times”, se zyrtarë të zbatimit të ligjit kishin filluar të hetonin në vitin 2017, në se Trump ka punuar për Rusinë, kundër interesave amerikane. “Nuk kam punuar kurrë për Rusinë” i tha gazetarëve Presidenti, ndërkohë që nuk ju përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë kësaj pyetjeje gjatë një interviste që ai dha në televizionin Fox News të shtunën. “Kjo është pyetje më fyese që më drejtohet dhe ai është artikulli më fyes që është shkruar ndonjëherë për mua; në se lexon artikullin do të shohësh se atje nuk ka asnjë lloj fakti.”– i tha Presidenti gazetares së teelvizionit FOX Jeanine Pirro, një mike e tij personale. Presidenti tha se asnjë president amerikan nuk ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, se sa ai. Ndihmës të Presidentit në Shtëpinë e Bardhë thuhet se kanë shprehur keqardhje gjatë fundjavës, që Presidenti nuk mohoi më me forcë në intervistë thëniet se ai ka qenë agjent rus, sipas tre ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë dhe disa republikanëve të afërt me Shtëpinë e Bardhë. Të gjithë ata folën në kushte të anonimitetit, ngaqë nuk ishin autorizuar të diskutonin biseda private. Trump e mbrojti sot përsëri vendimin e tij për pushimin nga puna të Drejtorit të FBI-së James Comey, një veprim që po shqyrtohet në mënyrë të kujdeshshme nga prokurori special Robert Mueller. Trump e cilësoi hetimin për Rusinë “një mashtrim i madh”.