Albspirit

Media/News/Publishing

‘Arratisja’ e panjohur e Kadaresë nga liqeni i Ohrit për të parë Shën Naumin

 

 

Bardhyl Berberi

 

Një buzë mbrëmje duke konsumuar një kafe në mjediset e manastirit të Shën Naumit ish-Sekretari i Parë i qytetit të Pogradecit Belul Lufo ka dëshirë të rrëfejë atë që ai e quan “arratisje” nëpërmjet liqenit të Pogradecit me anën e një motorbarke peshkimi në drejtim të manastirit të Shën Naumit që deri në vitin 1988 shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare ende nuk e kishte parë këtë manastir. Të vetmen mundësi atij ia krijoj ish Sekretari i Parë Belul Lufo për ta parë nga liqeni me dylbi me anën e këtij lundrimi.

 

Z. Belul, si është e vërteta e kësaj ngjarie?

 

Pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985, Ismail Kadreja po vinte më shpesh në Pogradec, pasi siç dihet Pogradeci ka qënë një nga dobësitë e tij që e donte shumë. Në verën e vitit 1988 atherë sapo isha bërë nga kryetar Komiteti Sekretar i Parë i rrethit të Pogradecit dhe njëherazi isha zgjedhur në forumet e larta të KQ të PPSH dhe kur një miku im nga Tirana më kërkoi që ta sistemoja Kadarenë në një dhomë komode në Pogradec. E prita me shumë kënaqësi, edhe për simpatinë time të jashtëzakonshme për Kadarenë. Pasi e sistemova në një nga hotelet më të mira të asaj kohe në qendër të qytetit njëkohësisht për hir të së vërtetës me mundësitë që unë kisha pothuajse çdo ditë planifikoja një aktivitet apo vizitë nëpër vënde të ndryshme që ka Pogradeci për ta kënaqur maksimalisht Kadarenë.

 

Le të qëndrojmë tek ajo që ju e quajtët “arratisje” të Kadaresë nëpërmjet liqenit të Ohrit?

Po ishim duke shëtitur buzë liqenit. Dritat e Lubanishtit dhe të Shën Namit ishin vezulluese buzë kufirit me Tushemishtin. Befas Kadreja më pyet:

-Kush është atje?

-Shën Naumi, i them unë.

-Hë, u hakërrua Kadareja, e di ti shoku Belul që unë nuk kam qënë asnjëherë në Shën Naum, ndonëse jemi në vitin 1988!

– Kush tha që nuk do të shkojmë, ia prita unë me humor për ta zbutur madje qysh nesër.

-Si do të shkojmë, pyeti Kadareja duke lëvizur syzat me nervozizëm, do të arratisemi, ajo është pjesë e Jugosllavisë shoku Belul, vazhdoi ironinë ai.

-Mirë, i thashë unë duke vazhduar me shaka, nesër do të marrim një mjet lundrimi dhe do të “arratisemi” nëpërmjet liqenit dhe të vizitojmë manastirin.

Kështu ne e lamë që të nesërmen të dilnim në liqen me motorbarkën e peshkimit.

 

E kryet lundrimin në liqen?

 

Po unë bisedova me ata të peshkimit dhe atë ditë iu kërkova drejtuesve që do të dilnim sëbashku me disa njerëz të rëndësishëm për peshkim ku do të ndodhesha edhe unë dhe të merrnin masa për të siguruar materiale për të bërë një tavë në motorbarkë. Gjatë vozitjes në liqen njëherazi sigurova unë verën dhe rakinë nga ndërrmarrja ushqimore. Në orën 7 të mëngjesit shkova me shoferin tim para hotelit për të marrë Kadarenë dhe Helenën, por kaloi gati një orë dhe ata nuk po dilnin. Shkova lart në dhomë dhe Kadareja nuk ishte zgjuar akoma, kishte shkruar natën dhe mbi tavolinë kishte një pirg me letra format. Përfundimisht u zgjua dhe ne u nisëm për tek moli ku ishte ankoruar motorbarka.

Sapo u afruam atje dëgjuam një ‘ndal’ të fortë dhe një polic shërbimi me armë në dorë urdhëroi Kadrenë të kthehej mbrapsht pasi ishte zonë ushtarke. I fola unë policit por nuk dëgjoj: Ju shoku sekretar i parë mund të hypni por civilë jo.

Kadreja u step dhe vazhdoj me humor shakanë e një nate më parë, more Belul po ku e di ky që ne do të “arratisemi” që ngul këmbë të mos hypim në motorbarkë.

Mora që aty nga pika ushtarke në telefon kryetarin e degës së asaj kohe Besim Veizin dhe i them që t’i jepte urdhër policit për të hypur Kadareja në motorbarkë për peshkim. Për hir të së vërtetës kryetari i degës i foli ashpër policit të shërbimit ‘si nuk njeh Kadarenë. ti more…’ dhe ne u nisëm për lundrim…

 

Si e priti Kadreja këtë lundrim?

 

U vendos tek pjesa e përparme sëbashku me Helenën. Liqeni shtrihej tejendanë  plot shkëlqim me nuanca dhe ngjyra diku më të errta dhe diku më të çelura  si një qilim shumëngjyrësh. Befas u ndezën motorët dhe motorbarka u shty përpara, motori gjëmoi në ujë duke krijuar shkumë, ndërsa mbrapa mbetej gjurma e madhe si një ugar i trazuar që e ndante liqenin në dy pjesë. Ekuipazhi i motobarkës filloi të merrej me punën e tyre, dikush përgatiste rrjeta, dikush tjetër sitemonte arkat, një peshkatar tjetër lante bashin me ujë. Kadareja ishte përhumbur i tëri. Bluja e liqenit sa vinte dhe theksohej më tepër duke u kthyer në një blu si të lyer me mellan – Kadareja po vështronte një tufë pulbardhash që po na ndiqnin pas…  Bukur. belbëzoi ai ..Më pas Kadareja filloi të dialogojë me Tasi Kapbardhin, që drejtonte motorbarkën.

 

Për çfarë e pyeste?

 

-Si do të dalim sot në gjueti, e pyeti Kadareja?

– Shenjat janë të mira, i tha ai, ja po fryn kjo era që ne peshkatarët i themi llackë, e trazon ujin në thellësi duke e çoroditur peshkun.

–Sa thellësi ka këtu, pyeti më pas Kadareja drejtuesin e motorbarkës?

–Ka mbi 150 m thellësi…

-Po rrjetat e peshkimit kur do t’i hidhni?

-Ja s a të kalojmë grykën e Çervenakës se këtu ka shkëmbinj nën ujorë dhe na grisen rrjetat…

– E njihnin liqenin mire, e pyeti Kadareja …

-Po po,  iu  përgjegj ai, pëllëmbë  për pëllëmbë. Në sytë e mi, i tha Kadareja,  liqeni dhe deti ka qënë një fushë e kaltër dhe e pamatë ku mund të bredhish për të kërkuar fatin…

Më pas u dëgjua një zë ‘djema gati’ dhe çikrikët e mëdhenj lëshuan rrjetat. Pasi ecëm disa km peshkatarët ngitën rrjetat. Belushka dhe korani i sapo kapur përpëlitej në rrjetë…Kadareja ishte pëqëndruar i tëri atje.

 

Konsumuat drekën në motorbarkë me Kadrenë?

 

-Po sigurisht ndezën sobën dhe belushka që ende përpëliteshin të sapo kapur hidheshin mbi zgarë. Fillimisht Kadreja nuk po hante, por më pas pasi provoi një belushkë të pjekur i pëlqeu dhe filloi të hajë gjithë kënaqisi. Më pas provuam dhe tavën e famshme të peshkatarëve që përgatitej me ujin e liqenit.

 

Po më pas?

Kisha biseduar unë me kapitenin e motorbarkës dhe u nisëm pas drekës në drejtin të Tushemishtit. Kadareja u zhvesh deri në brez dhe po bënte banjë. Fytyrën e kishte mbuluar me këmishën e tij. Ishte në pritje të asaj që një natë më parë ne e kishim quajtur arratisje. Pas katër orë udhëtimi dhe gjuetie me motobarkë, iu afruam Shën Naumit.

-Ec, i thoshte Kadareja, ec afrohu…

Ishim afruar  rreth 200m, larg deri tek vija e kufirit që ndahej  me Jugosllavinë e asaj kohe tek shenja e kufirit. Mori një palë dylbi dhe po vështronte manastirin e Shën Naumit. Ishte shumë i prekur në fytyrë. Manastiri, një kompleks masiv aty në breg të liqenit…U bë nervoz dhe nuk kishte dëshirë të fliste.

Më pas më tha me shpoti:

– Hë more Belul kjo ishte arratisja jonë për ta parë Shën Naumin me dylbi…Nënqeshi me ironi.

 

Please follow and like us: