Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: VIKTOR STRATOBËRDHA – NJË JETË QË U BË FILM I SISTEMIT

Rasti i Viktor Stratobërdhës është dëshmi e dhimbshme se si komunizmi, pasi përdorte njerëzit, mund të kthehej edhe kundër tyre.

Sipas dokumenteve që ruhen në arkiva, ai u vu nën ndjekjen e Sigurimit të Shtetit dhe refuzoi dy herë të bashkëpunonte me të.

Në vetëm 13 muaj karrierë si regjisor, Stratobërdha dëshmoi një sy të veçantë artistik. Në materialet e AQSHF-së, situata të zakonshme të jetës shndërrohen në realizëm, ironi dhe humor të hollë. Filmi Pse kështu? (1955) lidhet me projektin e censuruar Qeshim se nuk qajmë.

Regjisorja Xhanfise Keko më tregoi se, gjatë xhirimeve të Tomkës dhe shokëve të tij në Berat, kishte parë Viktor Stratobërdhën mes kureshtarëve. Pas burgosjeve dhe internimit, ai mbante mbi vete një histori vuajtjeje që vetëm zemra e tij mund ta dinte plotësisht.

Vite më vonë, nga Kanadaja, ai i dërgoi Natasha Lakos, atëherë drejtoreshë e AQSHF-së, rrëfimin e jetës së tij, shkruar me dorën e vet.

Jeta e Viktor Stratobërdhës është një film i madh për sistemin dhe karakterin njerëzor.

Dhe këtu lind paradoksi: ndërsa ai vuajti përndjekjen dhe u privua nga krijimtaria, të tjerë, që sipas dëshmive e dokumenteve kishin bashkëpunuar me mekanizmat e regjimit, ruajtën respektin publik dhe morën edhe poste e tituj.

Edhe pas viteve ’90, disa artistë që kishin heshtur në kohë të vështira u vlerësuan nga pushteti i ri. Sot rrezikojmë të shohim të njëjtin mekanizëm: pushtetet ndryshojnë, por vazhdon prirja për të nderuar njerëzit e vet.

Sigurisht, heshtja nuk është e njëjtë me spiunimin. Por historia kërkon që veprat dhe përgjegjësitë të gjykohen me të njëjtin standard, pavarësisht nga pushteti që i vlerëson.

Viktor Stratobërdha nuk pati titujt që mund të meritonte. Por dinjiteti i tij nuk varet nga një dekoratë.

Komunizmi nuk i ndëshkoi gjithmonë njerëzit sipas asaj që kishin bërë, por sipas asaj që i duhej pushtetit të bënte me ta.

Dhe pyetja mbetet edhe sot: a kemi mësuar të vlerësojmë njerëzit për veprën dhe karakterin e tyre, apo vazhdojmë t’i gjykojmë sipas shërbimeve që i bëjnë pushtetit?

Ka njerëz që marrin tituj nga pushtetet e kohës. Ka të tjerë që, edhe pa tituj, lënë pas një dëshmi më të fortë: ndërgjegjen e tyre.