Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Xhaferri: Fate njerëzish rrjedhin udhëve si ujë në gishtërinj

 

si thëllim i zi, shterpësia, i kthen rrugët e fatit në uloke
trazoje jetën, gjallo, mos i lë dëshirat të thartohen
në skicim të ardhmërisë këshillonin latinët:
stilin ktheje sa më shpesh
nëse për ku je nisur, vërtetë, kërkon të arrishë!

në jetë hero, mbase, kujtdo fati nuk i buzeqesh të bëhet
NJERI, emrin tënd skalite në relievin e së nesërmes
më shumë potere bën pema që bie sesa pylli që rritet
si mall demode boje dalë, nderin lirë mos ta shesë harresa

thjeshtë fare, në ankand të jetës, njih çmimin e kohës
që përjetësisht mbetet një limë që gërryen në heshtje
koha s’ngre diga fatesh, ajo rrjedh e ne kalojmë
dielli i ardhmërisë shndrit veç për ato që të presin s’dinë

…rrugë…shumë rrugë…
çelur në tokë
në det
nëpër qiej:
Asnjëra s’të çon për tek NJERIU !

Please follow and like us: