Dokumenti/Si të rrëmbehej shtëpia në diktaturë?
Shkresa e majit 1946, ku jepet një prej urdhrave të shumtë të këtij lloji në atë kohë, për zaptimin e shtëpive dhe pronave… Ky dokument i ruajtur që nga viti i largët 1946, është një fakt i rëndësishëm, që na dëshmon sot, se si u mor me forcë çdo pronë dhe u tjetërsua në kohën e komunizmit dhe pronarët më tej, u hodhën rrugëve të pashpresë apo nisën kalvarin e burgjeve dhe internimeve.
Në dëshmitë e tyre, shumë familjarë që provuan dhunën komuniste, që ju përvetësuan pronat dhe shtëpitë, e dëshmojnë momentin e nxjerrjes nga banesa me forcë, si një nga momentet e vështira të persekutimit të gjatë, që do të vijonte me dekada. Por, përveç dëshmive të tyre, nuk kishim hasur deri më sot, një prej shkresave me të cilët njerëzit e regjimit “trokisnin” në derë dhe pasi jepnin urdhrin, nisnin bastisjen e gjithçkaje.
Siç duket, edhe në këtë tip njoftimi apo urdhri, nuk vihet në diskutim asgjë tjetër veç faktit të kryer të lirimit të banesës “me urgjencë”. E sjellim më poshtë të plotë këtë shkresë të rrallë të vitit 1946, si një dëshmi e bastisjes së pronës private nga regjimi komunist. Republika Popullore e Shqipërisë Komiteti ekzekutiv K.N.C.iN/ Prefekturës së Durrësit Kryesija Nr.1942/30 Durrës, më 6 Maj 1946 Urgjente Qytet:
Mbasi shtëpia e juej nevojitet për organizatën e grues Antifashiste të prefekturës, mbrenda datës 11.V.1946 duhet ta lironi. Mos-lirimi i shtëpisë në datën e caktueme do të shkaktojë marrjen e masave. P.Komitetin ekzekutiv të këshillit popullor të N/prefekturës së DurrësitSekretari Andrea Mema Kryetari Nikolla Tirana(kujto.al)