Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: NJËSHI

                                                                     

     Tregim

 

Matanë kamerës xhelatët dhe viktimat. Këndej vështruesit kureshtarë dhe gazmorë të egërsisë, raca e dykëmbëshit. Andej katërkëmbëshit, barngrënësit e mishngrënësit.

 

*

Bualli dhe luani. Vetëm për vetëm. Shikohen sy më sy. Çfarë shikon barngrënësi brimadh e qafëtrashë? Sy të mëdhenj, të zi, sikurse ngjyra e zezë e lëkurës, edhe fatin mund ta ketë me të njëjtën ngjyrë brenda mandatit të çasteve. Përqendrim si pa të  keq kah mishngrënësi i qëllimit të uritur. Asnjë djallëzi në ata liqe sterrë. Shtangie përpara thumbave të bardhë, sa herë hapen nofullat e përbindëshit. Ata thumba mbulohen dhe zbulohen kur dalin kanosjet e hapura. Ato gozhda vezulluese, lakmitare do të ngulen e bashkohen në muskuj, në eshtra kurrizi, në tul prapanice, në bisht për ta sjellë vërdallë, ose në testite të varura…Caqet janë të shumta, aq sa do t’i lejonin brirët, por brirët nuk e arrijnë dot prapanicën… Mishngrënësi do t’ia mësynte, t’ia mbyllte turirin dhe vrimat e nuhatjes së barit, t’ia ngulte gozhdët e nofullave në qafë, t’ia shqyente venat.

Çastet avulluan shpresat e shmangies.

Mishngrënësi me gjysmë-trupin lesh-dendur dhe cullak, të murrmë si Afrika, me shputa të gjera e kthetra të mprehta, i hidhet vaktit tij të madh. A mund t’i mbetet në fyt ose të shpartallohet ai vakt?

Vërdallë e vërdallë, andej-këndej, prapa-para, me përdredhje taktikash “të frytshme”? Me dy lloj armësh prej ashti rivalët sprovojnë ngadhënjimin. Barngrënësi pa dashje  hyri në duel. Thumbat e mishngrënësit tentojnë të ngulen mbi zhguallin e zi dhe të trashë, përderisa rrëshqasin pa e futur thellë plugun prej ashti në arën e mishit të gjallë. Sipërfaqes së zhguallit, tatuazhe të kuqe. Vardisen kërcimet akrobatike nga pozita në pozitë të mëtuesit besimplotë: hëm-hëm-hëm…Gëërrrrrr!…Gëërrrrrr!…Dy nofullat e mishngrënësit ia mbyllin turinjtë barngrënësit. Me gjithë shmangiet atij i mbyllet goja dhe klithmat nga nofullat dhe era e gjakatarit. Tashmë britma e barngrënësit shtrihet vetëm deri te korridori i mbyllur i gojës së mishngrënësit.

Nuk u shpua shpresa e varur në brirë. Tashti pehlivani me tërë shtrëngimin e nofullave të veta  mbi nofullat  e trasha të vaktit, luhat peshën e madhe të një bjeshke ende të gjallë, së cilës  copa të jargës i rrjedhin, duke kapërcyer korridorit  të ngushtë të imponuar: a-a-a-a-h-h, a-a-a-h-h!…Buallit naiv po i lëbyret dhe nxihet dita. Më e dëshirueshmja e asaj klithme të fundosur është fryma. Fryma e ndalur nga një frymë tjetër… Përderisa merr frymë qenia tjetër, edhe ai mund t`i huazojë aq fije fryme sa t`i shtyjë çastet e kapitullimit… Kujt dhe si t’ia nxjerr pak frymë? Frymë-ndalës i pamëshirë mishngrënësi! Ai nuk di çka është mëshira, por vetëm me atë stil jete ai është kush është.

I varur me tërë peshën dhe epshin mbi turinj të barngrënësit, shputat mbi ata sy të zezë, të cilët rrotullohen duke nxjerr të bardhën e tyre…Gjithnjë më shpesh del e bardha e syve të zinj. Pesha e mishngrënësit është e rëndë, por më e rëndë ajo, e dëshiruara frymë, i dëshiruari shteg për hapje.

 

*

Shkundja e herë pas hershme e qafës së barngrënësit nuk e hiqte qafe mishngrënësin. Katër, pesë, gjashtë shkundje dhe, fjaf: erdhi shkëputja nga thumbat e kthetrat prej ashti të përbindëshit. Mishngrënësi i xhindosur sillet rrotull në harqet e hedhjes  mbi caqet më të buta të barngrënësit të ligështuar. Diafragma assesi t’i qetësohej dhe frymëmarrja djegëse. Shkulma si penj të trashur gjaku të pakëputura lidhen me tokën, sikur duan ta tërheqin në brendinë e tokës së nxehtë. Sy të çatalluar, liqene gati të zhvendosur kah rrjedha e errët, tatëpjetës…I mbetej një hark i ngushtë për zmbrapsje, sepse sërish do të shfrynte uragani i plagosur katërkëmbësh mbi të.  Brirëve u kthehet shpresa gjysmë e vdekur. Bishti një presh i kuq, për gjysmë i qëruar, ende i pa fërguar, lëviz ngathët për të trembur mizorinë e mizave pickuese. Njëra nga lëvizjet e kokës doli të mos jetë  huqe. Njëri bri, e vetmja shpresë e gjallë e tij, e kishte goditur  në nofull gjakatarin e pamposhtur. Gjakatari i pa dorëzuar  kërkonte baraspeshën e luhatjes në zmbrapsje e sulm. Goditjes së nxehtë nuk i dha shkas për ftohje. Shkundjet e sërishme të kokës së barngrënësit, djathtas-majtas, lart-poshtë dhe rikthimi i brirëve të shpresës, arriti cakun e barkut të përbindëshit tejet të motivuar për kafshime dhe  kapje për gabzherri të  këtij  rivali të gjakosur.

Një, dy, tre goditje në kokën leshtore dhe kurriz. Kjo mandatë seç i dëftonte mishngrënësit, se edhe  për ty do të nxijë bardhësia e kësaj dite të kobshme. Mishngrënësi në kulmin e rinisë, sprovohej keq me majat e brirëve të paprekshëm për pushtetin dhe sedrën e pa cenuar të tij. Kishte grabitur shpesh gjahun e të tjerëve, si një tiran që i bënte dhe zbatonte vetëm ligjet e veta.

Fitimtar mbi viktima, i vetë-bindur nga instinkti vrastar e kënaqësia, akti i mësymjes së paragjykuar me mposhtje, mbeti në dorën e tjetërkujt. A është e mundur? Nuk kishte kohë t’i fshinte sytë e habitur e të tronditur. Pak më parë, rivali i shpifur i tij lypte shtegun për ikje, por ky, me çdo kusht  ia mbyllte shtigjet, duke iu hedhur  mbi zhguallin e shpinës, për t`ia grabitur qafën e gjerë të barngrënësit të lakmuar. Gjuha e kafshuar e buallit doli nga dhëmbët barngrënës. Jargët, si penj të trashur gjaku që e lidhnin me tokën, iu këputën, duke i mbetur si dy-tre currila akulli të kallnorit. Dhimbjes së pamatur i jep trajtë rënkimi, pothuajse i këputur. Klithma u shterua. Katër kunja ashtëror me gjithë forcën e mllefit kishin ngecur në qafë. Orteku i mbledhur i instinktit të jetës u lëshua mbi qenien e pamëshirë dhe e zuri përfund, ajo peshë qindra kilogramësh…Brirët e furishëm i dhanë shkas shpresës të sapo kapërdirë.

Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, me njërin dhe bririn tjetër, pasuan goditjet: bie dhëmb zhveshur vrastari i viktimave.

 

*

– Vijim, ndjenja të përziera më gufuan në shpirt kur e  pash të shtrirë një vrastar…

– Cilin vrastar?

– Po ja, atë  vrastarin e pamëshirshëm të viktimave…

– Ha-ha-ha-ha!

– Pse, paska vrastarë të  mëshirshëm?

– Po si?

– Vrastari i mëshirshëm mund të vras, por nuk të vret.

–  Është relative…

Të gjitha ato kafshime mbi trup e gjymtyrë të një kafshe nga kafsha tjetër…Zgurdullim sysh të pasherr, kafshim i gjuhës të zgjatur nga dhimbja; ndërsa ai, mizori tejet i vendosur për ta shqyer atë qenie të trashë dhe naive…

– Nga ajo atmosferë, përfundimisht: nuk dua të jem paqësor naiv.

– Atëherë do të jesh agresor i zgjuar, sikurse mishngrënësi yt – kjo thënie i doli si kundërvënie kursit  të  Motit.

– Assesi!

Moti me tonin e ngritur mëtoi përmbysjen e pohimit të Vijimit. Mandej, me ton të zbutur vijoi:

– Rënkimet, klithmat dhe pozita e barngrënësit më zgjonin dhimbjen, aq sa më shtonin urrejtjen për speciet e mishngrënësve.

– Domethënë edhe për njeriun, për ty, për mua?

– Çka thua Vijim?

– Them atë që jemi.

– Çfarë jemi?

– Mishngrënës!

– Andaj, u dashka të urrehemi edhe ne?!

Paksa  vonë shkëputi të vërtetën e ëndjes…Edhe ai ishte në kategorinë e mishngrënësve, madje të atyre  me  oreks të pashuar. Mendoi: mëkatarët janë të këtillë, si ti, si unë, mirëpo, jo sikurse  njëri që ishte betuar të mos hante kurrë mish kafshe.

– Që ta shfaq çiltërsinë time ty, pse mos ta dëftoj:

– Më dhimbej edhe mizori mishngrënës për nofkën e tij zulmëmadhe “mbreti i xhunglës”. Njëshi rënkonte në vete prej brirëve, ndoshta dhe prej fyerjes e turpit?…

– Natyra njerëzore është e tillë ngase pas mbarimit, qoftë dhe të një krimineli, ka një dozë dhuntie që është e strukur diku, si shtresim i thellë në ne dhe  mëshirohet, falë.

– Mëshira është dhunti  hyjnore.

– O Zot mos na lërë pa mëshirë!

– Për habi! -Edhe në grahmat e fundit, ai i pamëshirshmi, nuk dukej se rënkonte.

– Ndoshta dëshmonte karakterin e tij  prej njëshi të panënshtruar?

– Mos deshe ta admirosh aktin e tij të një grabitqari aq burrëror?

– Si të ta them Vijim?

– Thash, le ta përjetonte dhe ai, si i pamëshirshëm, fitimtar i përhershëm, shijen e humbjes.

– Sido qoftë, a mund  t’ia rrëfente pastaj atë shije të hidhur  racës së vet?!

Moti reflektoi kthimin, pa nervozë, te burimi i vërtetë  i natyrës që rrjedh:

– O burrë, ai i pamëshirshmi gjuan nga instinkti, jo për sedërmadhe  – e ndërpreu Vijimin, por jo diskursin e vet.

–  Çfarë bëjmë ne?

–  Ne ngrehim rrjetin e strategjisë së merimangës me fije të dukshme e të padukshme…

–  Për kë?

– Gjithkah, përreth nesh ndesh kurdisjet për përmbushje…Vrastarin nga instinkti e liron gjykata  jonë e dy këmbësve.

Mësymja e përhershme pas Njëshit do të gllabërojë breza të tërë. Pse? Njëshi është vetëm Një. Të tjerat pas Tij janë mallkime, anatema qiellore, tokësore dhe zero të  pambarimta.

 

Gjilan, më 22 mars 2018.

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: