Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Ishte vetëm fillimi i fundit…

 

 

Grumbullimi qytetar më i madh e më madhështor në 28 vjet demokraci duket se ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt arritjes së objektivit për zgjedhje të lira e të ndershme. Një demostrim paqësor, dinjitoz, energjik e racional.

Një goditje e fortë dhe e fuqishme por e matur drejt arritjes së objektivit final. Një ngjarje e shikuar dhe dëgjuar edhe ndërkombëtarisht. Një përmbyllje për të vijuar më tej, në një rrugë tashmë të ndriçuar dhe me të gjithë arsenalin e mënyrave e mjeteve adekuate dhe me dëshirën e madhe, racionalitetin e maturinë e nevojshme për të arritur me sukses objektivin e mirëpërcaktuar qartësisht e saktësisht…

Realisht ajo që duhej e pritej, edhe në kohë edhe në hapësirë, edhe në sasi edhe në cilësi, edhe për dashamirësit edhe kundërshtarët, edhe për optimistët edhe për skeptikët, edhe për të moderuarit edhe për radikalët, edhe për ata që ishin në protestë edhe për ata që nuk kishin mundësi të ishin…pra ajo që duhej dhe pritej nga të gjithë ata që kanë halle e probleme dhe kanë inteligjencën minimale të kuptojnë racionalisht se si mund të arrihet një objektiv i tillë i vështirë dhe kompleks.

Opozita ka përcaktuar prej kohësh si objektiv:

Zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Qytetarët në protestë dhanë kontributin për t’ju afruar me sukses realizimit të këtij objektivi, sukses që duket se do të arrihet pa asnjë dyshim në ditët apo javët në vijim. Pikërisht lidershipi i opozitës tregoi se është i vendosur për arritjen e këtij objektivi. Të gjithë ata që janë në opozitë me këtë qeveri s’kanë më asnjë dyshim se objektivi për largimin/dëbimin e Ramës është e vetmja zgjidhje për të nxjerrë vendin nga gjendja ku ndodhet dhe se ky objektiv është i realizueshëm me sukses në ditët e javët në vijim.

Pjesëmarrja qytetare ishte sot e paprecedentë:

Sot shqiptarët dhe publiku ndërkombëtar kanë qenë dëshmitarë të demostrimit më të madh qytetar të historisë modern të Shqipërisë. Nuk ka pasur asnjëherë tjetër më parë në Shqipëri një grumbullim qytetar më të madh se sa demostrimi i sotëm i datës 16 shkurt 2019. Sot në këtë demostrim masiv qytetar ishte e përfaqësuar e gjithë Shqipëria nga të 12 qarqet e vendit. Pjesëmarrja në këtë demostrim ishte në shumicë dërmuese qytetare. Ky ishte po ashtu një demostrim i qytetarëve me vullnet të lirë, që kishin ardhur në këtë demostrim për shkak të halleve e problemeve të shumta që ju ka krijuar Edi Rama me qeverisjen e tij.

Demostrimi i qytetarëve ishte me nerv por racional…

Të gjithë qytetarët pa përjashtim vinin në këtë protestë, të qartë edhe për hapat që duheshin hedhur për të arritur objektivin por edhe për mënyrën se si ky hap i ndërmjetëm do të hidhej. Ata ishin në këtë demostrim me mëndje të qartë dhe me zemër.

Të gjithë aktet e qytetarëve kishin shumë nerv, por edhe shumë racionalitet. Demostrimi ishte energjik, por i ‘vetë)kontrolluar, pra i mirëmenduar dhe (vetë) mirëmenaxhuar. Qytetarët arritën po ashtu të shmangin provokimet e policisë dhe kurtihn e Ramës për ti përfshirë ata në akte dhune apo zaptim insititucionesh. Ndërkohë që largimi i kërpudhës ishte vetëm një kat simbolik i heqjes së maskës artistike të krimit dhe korrupsionit të qeverisjes së Edi Ramës. Kurse ‘heqja’ e mbulesës së zezë nga hyrja e kryeministrisë ishte një akt tjetër simbolik, që mund të thuhet se e nxorri Ramën nga ‘shtëpia e orgjive të korrupsionit, krimit e trafiqeve’ ku ishte fshehur pas vellos së zezë.

Mesazhet e kësaj proteste qytetare ishin të shumta:

Së pari, Rama me siguri ka kuptuar se i kanë mbetur dy alternativa: Ose të largohet paqësisht për ti hapur rrugën krijimit të një qeverie tranzitore për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ose të dëbohet nga qytetarët pas një ose disa përballjesh me revoltën dhe zemërimin ekstrem qytetar.

Së dyti, akti i sotëm qytetar ishte vetëm një paralajmërim për Edi Ramën që provokoi përmes policisë ta fuste këtë demostrim në kurthin e dhunës dhe të pushtimit të institucioneve. Sot u dha vetëm paralajmërimi se ‘qytetarët janë të gatshëm ta dëbojnë Ramën’ por ‘presin fillimisht që ai të largohet’. Pjesëmarrja e madhe dhe aktet simbolike ishin mënyra sesi ky mesazh u transmetua. Siç duket në hapin tjetër, ky mesazh force dhe racionaliteti do ti jepet edhe kuvendit, ndërkohë që herën e tretë do të arrihet objektivi, gjë të cilën demostrimi i sotëm e ka treguar se ky grumbullimi qytetar, dhe me nervin që e përshkonte, nuk ka asnjë problem për ata arritur.

Së treti, demostrimi i sotëm ishte një mesazh i qartë për të gjithë skeptikët dhe dyshuesit; ky akt qytetar dhe lidershipi i opozitës treguan se nuk ka asnjë kompromis të fshehtë mes opozitës dhe Edi Ramës. Se opozitës është në mbështetje pa asnjë mëdyshje të realizimit të halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve dhe në krye të drejtimit të kësaj proteste për largimin/dëbimin e Edi Ramës.

Së katërti, demostrimi masiv qytetar ishte një mesazh për të gjithë ndërkombëtarët që naivisht mendonin se kjo do të ishte protesta opozitare e rradhës. Që deklaronin me keqdashje dhe pa asnjë bazë informacioni apo arsyetimi të shëndoshë se ky demostrim do të ishte një protestë me pjesëmarrje modeste dhe se Rama e ka nën kontroll situatën sic ai i kishte mashtruar në takimet apo darkat/drekat abondante. Kjo protestë supermasive por edhe energjike i tregoi atyre të vërtetën dhe realitetin e gjendjes së mjerueshme e katastrofike në të cilën gjendet Shqipëria dhe arsyet përse shqiptarët emigrojnë drejt vendeve të tyre.

Ky demostrim force dhe racionaliteti i qytetareve të Shqipërisë u tregoi ndërkombëtarëve gjithçka mbi realitetin shqiptar, atë që ata dinë dhe bëjnë sikur s’dinë apo atë pak që ata s’dinë sepse janë të mashtruar nga Rama. Shpresoj që disa nga ndërkombëtarët të jenë ndriçuar sado pak sot dhe të jenë qartësuar se shqiptarët e dinë se çfarë ata mendojnë dhe çfarë gënjeshtrash ju tregon Rama për të mos thënë që ata ishin në shesh për të zbuluar edhe ato raste të kompromentimit që atyre tenton Rama t’ju bëjë me paratë e pista kë korrupsionit, krimit e të trafiqeve për tju blerë minimalisht heshtjen.

Së pesti, demostrimi u mbyll me mesazhin e vijimit/vazhdimësisë, për të arritur me vendosmëri e durim objektivin. Por edhe të suksesit të realizuar në hapin e parë, duke deklaruar se opozita nuk e njeh më Ramën për kryeministër. Rama është i rënë moralisht e politikisht për të gjithë ata qytetarë në protestë por edhe mijra e mijra të tjerë; mbeten vetëm që ai të (vetë)largohet ligjërisht, butësisht e pa dëme, ose të dëbohet, kostot e së cilës do ti shtohen bëmave dhe zullumit të deritanishëm, për të cilin edhe ndëshkimi do të jetë shembullor e i merituar për një qënie autoritare, hajdute, kriminale që për shkak edhe të karakterit të tij pervers është bërë i neveritshëm dhe i padurueshëm për shqiptarët, por edhe i rrezikshëm edhe në sytë e shumë partnerëve ndërkombëtarë.

Së gjashti, demostrimi qytetar evidentoi po ashtu panikun dhe frikën që kanë mbërthyer Ramën dhe kupolën e tij si dhe marrëzinë dhe dritëshkurtësinë e sjelljes së strukturave drejtuese të policisë për të vepruar më të gjithë mjetet dhe substancat e blera po që përdoren në vendet që ushtrojnë dhunë mbi qytetarët e tyre. Kjo sjellje e policisë, në pamje të parë kriminale, ndaj qytetarëve në revoltë duhet hetuar dhe duhen ndëshkuar përgjegjësit duke paralajmëruar që ajo do të mbahet shënim.

Së fundmi, kjo protestë dha mesazhin e qartë se qytetarët mbeten të vendosur dhe të angazhuar për të arritur në ditët dhe javët në vijim objektivin e vendosur…Tanimë jo vetëm objektivi është i qartë, por edhe rruga është e ndriçuar dhe mënyra është përcaktuar. Mbetet gjithçka çështje kohe. maturie dhe durimi për ti shkuar kësaj rruge deri në fund…

Fundi i Ramës është i qartë: (vetë) largim ose dëbim…

Ky ishte vetëm fillimi i fundit…

Please follow and like us: