Albspirit

Media/News/Publishing

Rama me parlamentarët e Rilindjes: Balla luan bllofin!

Dalin detaje të tjera lidhur me mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku Kryeministri Edi Rama dha disa porosi për deputetët e tij, pas protestës së opozitës, e mbajtur të shtunën.

Ai iu ka kërkuar deputetëve që të vijojnë punën dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pavarësisht çdo vendimi të opozitës.

Po ashtu ai ka falenderuar dhe shprehur mirënjohje për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe policinë, duke e cilësuar si një menaxhim të shkëlqyer të protestës, duke shmangur destabilizimin.

“Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit, sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”, ka thënë Rama në mbledhjen e grupit.

Lidhur me propozimin e kryedemokratit Lulzim Basha për djegie mandatesh të opozitës, ai mësohet të ketë thënë se, “Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë te realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë, por luan bllofin”.

Ai ka bërë thirrje ndaj deputetëve të tij që të vijojnë dëgjesat dhe përmirësimin e qeverisjes, duke u organizuar më mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore.

“Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, që unë them që do hyjnë pasi të bëjnë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit, ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, por zemrat e besimin edhe të më shumë qytetarëve se sa herën e shkuar”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri.

Please follow and like us: