20 SHKURT 1946, TEK LUMI LANA, PUSHKATIMI I AT ANTON HARAPIT
Fritz RADOVANI
TIRANË, 20 SHKURT 1946, ORA 5.00 TEK BREGU I LUMIT LANA…
Tregonte një polic shoqnues i Grupit Rregjentave Shqiptar, per diten e pushkatimit të
AT ANTON HARAPIT O.F.M., brij lumit Lana: “Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë…Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat…Njëri nga ekzekutuesit e shikoi me vrejtje dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!…Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…
Shkoi pranë gropës, dhe pa frikë tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë”!
Breshnia e plumave i rrëxoi në gropen paemen: Maliq Bushati, Lef Nosi e At Antonin.
DOSJA 1086 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë (1998 nga FR). At Antoni u arrestue në Dukagjin i tradhtuem me 5 qershor 1945. Mbas shtatë muejsh Gjyqi u hap në Kino “Kosova” në Tiranë, me 1 Shkurt 1946. Kryetar major Hirakli Bozo, antarë Tonin Jakova (major) e Gjon Banushi. Sekretar Thoma Rino. Me daten 14 shkurt 1946 u dha vendimi me PUSHKATIM. Gjykata e Naltë aprovoi Vendimin me pushkatim me daten 19 Shkurt 1946. Vendimi u zbatue me 20 SHKURT 1946…Në Tiranë…Brij lumit Lana…
Vrasësi Enver Hoxha njoftoi menjëherë shokun Tito nepërmjet ambasatorit jugosllav:
“Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”. fq. 36.).
Në fjalen e fundit At Antoni tha: “Jam përpjekë me ba mirë e me pështue ndonji jetë prej egersinave. Por mekenëse ishin bisha t’egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap, me mundin tem kam pështue mjaft…”. (Dosja 1086, Fjala e At A. Harapit 19 Shkurt 1946).
– E kush ta dijti o At Anton, as Ty e as Vllazenve Tuej ?! As atëherë, as sot!..
Melbourne, 19 Shkurt 2019.