KRYEKAZANI ETIKETON ‘KAZAN’ MEDIAT E DIASPORËS
Ç’mund t’i themi tjetër Kryeministrit, që ashtu si “Mbreti lakuriq”, nuk e sheh dështimin e Samitit, siç nuk sheh lakuriqsinë e vetes dhe të Qeverisë që udhëheq, përveçse: Kryekazani je vetë!
Të shajë Kryeministri, aq shumë i sharë nga shqiptarët, në këtë situatë të bën nder. Kryekazani së fundmi zgjodhi Samitin e dështuar të Diasporës për të etiketuar Kazan mediat e Diasporës. Pasi etiketoi”kazan” të gjitha mediat e Shqipërisë(me përjashtim të atyre që i mbajnë anën dhe paguhen prej tij), pasi nisi dyluftimin e humbur në distancë me “Zërin e Amerikës”, së fundmi ai hapi frontin e ri antimedia me Mediat e Diasporës, që i dolën kundër në Samit. Natyrisht Mediat në Diasporë ndjehen mirë që i sulmon Kryekazani i mediave të paguara, që i bëjnë fresk atij.
Çfarë të pavërtete shkroi Media e Diasporës përveçse paralajmëroi dështimin e Samitit të Dytë të Ramës, siç patën parashikuar dështimin e Samitit të Parë?
Përveç atij, që e quan sukses Samitin e dytë, ashtu si të parin, gjithë të tjerët e panë se ai ishte veçse një një fasadë për qeverinë e tij dhe shënoi dështimin e radhës.
Shqiptarë; A e dëgjuat kryeministrin tuaj tek duartokitej gjatë fjalimit të tij butaforik në Samit,kur deklaronte se: Nga Samiti i parë në të Dytin është shënuar një sukses i madh sepse në Parlamentin e Maqedonisë flitet Shqip?
Se në Komunën e Tuzit, shqiptarët janë bashkë etj etj…!
Së pari, Shqiptarët në Maqedoni dhe ata në Mal të Zi, ashtu si dhe ata në Luginën e Preshevës, nuk janë pjesë e Diasporës, por shqiptarë etnik në trojet e veta.
Së dyti, asnjë nga sukseset që përmendi ai, nuk burojnë as nga Samitet e Ramës, as nga qevria e tij.
Së treti, Diaspora, veçanërisht ajo e Amerikës, e bojkotoi Samitin e Ramës, që ai e quan Sukses. Jo vetëm Vatra me 13 degët e saj nëpër shtetet e Amerikës së Veriut dhe në Kanada, por edhe shoqatat me peshë si: Albanian Roots-Rrënjët Shqiptare, më i madhi bashkim i të rinjëve shqiptarë në Diasporë-Organizatorë të Paradës së Madhe Kuq e Zi në SHBA, Bijtë e Shqipes në Filadelfia,organizata serioze në SHBA, institucionet fetare në të gjithë Amerikën, nuk e morën rrugën për t’i mbajtë Isoooo, Ramës. Ky është një tregues i mjaftueshëm, për të vlerësuar Samitin Rama & Majko.
Gazeta DIELLI, që shënon 110 vjetorin e botimit të numrit të parë, Dekane e shtypi shqiptar, që vjen prej Kohës së Rilindjes(Jo Rilindjes së Ramë), ndjehet mirë që e udhëhoqi median e Diasporës në paralajmërimin e dështimeve të Samiteve Fasadë 1+ 2, dhe shkrimet e Diellit, u botua në Tiranë.
Ç’mund t’i themi tjetër Kryeministrit, që ashtu si “Mbreti lakuriq” nuk e sheh lakuriqsinë e vetes dhe të Qeverisë që udhëheq, përveçse: Kryekazani je vetë!