Ilir Levonja: Bashkohuni me ato 3 shtëpi
Konflikti tek Petro Nini, ku policia kërkon të lirojë disa banesa, ku jetojnë prej më se 75 vjetë tre familje, është bërë nga më viralët në internet. Mirëpo ajo që të bën përshtypje, se pjesa dërrmuese e webeve i japin pamjet përmes statuteve në FB a Twitter të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe këtij të fundit, Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Të gjitha me devizën se shprehet kryeministri, kryetari i bashkisë dhe ministri i brendshëm. Shprehin keqardhjen, i pari pasi kazani mediatiak po e bën çorbë punën, i dyti do japi banesë sociale dhe i treti, akoma më bajati se, policia nuk ka ndërhyrë profesionalisht.
Dhe të thuash a ka të drejtë Rama kur thotë janë kazan. Plotësisht që ka, se, janë jo vetëm kazan, por edhe miope, të qullura nga aprofesionalizmi më minimal. Këtë e tregon fakti sepse duhet t’i referohen Ramës, Velijat, a këtij Lleshit, kur fasha e terrorit është aty tek porta e tre familjeve, tek avllia ku gra e fëmijë janë gati të japin edhe jetën. Përballë kanë ca hajvanër që kanë marrë uniforma për shkak të teserës së partisë. Një konflikt brenda një shteti dhe një shoqërie apatike e cila vdes të bëj sehir. Dhe një mediumi që nuk shpëton dot të bëj lajm jashtë fb së Ramës, Veliajt, apo këtij të fundit Lleshit.
Nga ana tjetër një turmë uniformash që kurrë nuk u treguan kaq energjike kur rrëzoheshin kaçatorrët në Divjakë, kurrë kur vëllai i Ministrit të Brendshëm u kap me presh në dorë, madje e shoqëruan me eskortë drejt Italisë, kurrë me këtë Balilin e kërkuar ndërkombëtarisht, kurrë me çunin e deputetit të Krujës, kurrë me kryebashkiakët e Durrësit dhe Elbasanit etj. Por shumë të zellshëm karshi tre familjeve që jetojnë prej 75 vjetësh aty, në zemër të Tiranës. Nuk e di se çfarë e drejte pronësie, sidomos kur ke të bësh me banesa publike. Dhe 75 vjet i bie larg të hulumtosh në ndonjë reforme nga ato të shtetëzimit, për më tepër kur dihen se sa poshtërsi pa fund, sa krime të pa ndëshkueshme flenë në sirtarët e kadastrës shqiptare, por ja që një qeveri se ka për problem ta zhbëj e ta riaktivizoj gjithçka sidomos kur futen këto qendrat dhe interesi i të pangopurve mbi vendet kyçe. Me këtë logjikë i bie që pas 75 vitesh të tjerë, të ngrihen ndonjë pronar dhe të kërkojë pronën që sot e ka dhënë babai ndonjë ndërtuesi, e atëherë merreni me mend vet se sa do jetë numri i atyre që banojnë në një shumëkatësh. Janë ca lojra për të vrarë vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme. Dhe në rastin konkret në dështimin total të një qeverie të marrë peng nga tre p-t dhe konçensionarët.
Një qeverie a një shteti që ka falimentuar dhe kërkon të ngrejë më këmbë një front opozitar institucional. Ka marr fund, hiqeni nga mendja. Janë të gjitha përpjekje për të tërhequr vëmendjen. Por ajo që të trishton, është fakti se si segmenti opozitar nuk shkon aty menjëherë, aty tek familjet në nevojë. Se në fund të fundit ky është opozitarizmi nuk janë ata prasët që zgjedhjeve herë ngulen tek PD-ja dhe herë tek PS-ja. Nuk janë ato webe që rrinë e presin se çfarë do thotë, do indinjohet apo jo Ramiu me shokë. Opozoitarizmi është rrugë, dhembja e njerëzve që kanë humbur shpresën.