Bledian Koka: PS nuk dëgjon nga ai vesh, po PD?
Rudina Hajdari bëri një zbulim interesant në sallën e Parlamentit. Tek kërkonte me naivitetin e një qëngji që nuk e ka idenë se me cilët ujqër ka të bëjë, që reforma zgjedhore të mos jetë thjeshtë qoka dokumentare për ato sugjerimet surrogato të zakonshme të OSBE/ODIHR, por të shkojë akoma më tej. Ajo kërkoi ndryshimin e SISTEMIT! Kaq mjaftoi që Rilindja që e detyroi Rudinën, Ralfin dhe anonimët e tjerë të bëheshin fasadë e një sistemi të kalbur me mbret lakuriq plakun shëndetlig të Surrelit, të fillonte të kërkonte në sallë shpresën tek fantazmat politike të Lulit e Monës të vetëvrarë politikisht. “Reformën do ta bëjmë me opozitën politike”-çirrej Edi Rama me zërin e Damianit. Mesa duket Rudina artikuloi diçka që trembi Ramën dhe sistemin e tij të çakejve rilindës. Rudina artikuloi aty ëndrrën më të keqe në beze të plakut surrelian që e kupton se zëri i dridhshëm i Hajdarit është në fakt kumti i një plani që as ajo vetë nuk e ka të qartë sesi do të mund të vihej në jetë. Por ama ajo që ndodhi të mërkurën në sallën e Parlamentit, qe një parantezë e një tjetër lëvizje tektonike që nuk e shohim, por minjtë e Rilindjes e ndjenë që çke me të. Ajo që thotë Rudina hakshe hakshe e mendojmë të gjithë, por nga dëshira që kemi që të ndodhë nuk e tregojmë nga frika se mos na prishet. Tani pyetja është, nëse PD e LSI e mendojnë si Rudina apo si Edi Rama?!… E para mund të kthehet në një mundësi të arte nëse opozita e artikulon, që elektorati i arsyes të kthejë sytë e konsideratës nga fronti opozitar. Nëse është e dyta, pra nëse Luli e Mona e mendojnë si Rama, atëherë shprehja “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”, mbetet në fuqi. Në fakt, për një ditë, Rudina e justifikoi vendimin e saj për të qendruar në Parlament…
P.S…aty e pame plakun e Surrelit t’i dridheshin këmbët, dhe kjo jo prej pleqërisë…