Ilir Çumani: TË JETOSH NË ATDHEUN E PAGJUMË TË PROTESTAVE…!
Kur opozita e bashkuar organizonte protestën e saj masive në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rastësisht takova në shëtitoren e ndodhur mes kompleksit “Taivan” dhe pallateve “Shallvare” një të njohur, i cili kishte dalë në shëtitje me bashkëshorten e tij. Është një burrë i fisshëm me thinja, rreth të shtatëdhjetave, i nderuar dhe shumë i respektuar, një intelektual mjaft i njohur si diplomat i shquar karriere, tashmë në pension. Prej vitesh me radhë ai ka qenë bashkëpunëtor dhe këshilltar i afërt i z. Berisha, kur ky e fundit ishte kryetar i PD, President dhe Kryeministër i vendit.
Prej bindjeve politike, ky zotëri i përket së djathtës, edhe pse atë ditë në protestën e opozitës dukej se ishte krejt indiferent, aspak i interesuar për çka po ndodhte me protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pasi u përshëndetëm, e pyeta: or mik, ç’farë po ndodh kështu…!? Kemi 29 vjet që po jetojmë në një vend jo normal dhe nuk po gjejmë qetësi, nuk po gjejmë rehat. Duket sikur po jetojmë në Republikën e pagjumë të protestave…!
Ai, fjalëpak, i shtruar dhe tepër i kursyer, hodhi vështrimin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, dhe ashtu i keqardhur u gjegj nën zë: “…Edhe këta të opozitës, vërtetë janë në të drejtën e tyre të protestojnë, por u mungon kauza, nuk kanë kauzë që të mund të bindin elektoratin e tyre dhe shqiptarët se çfarë duhet të ndryshojë realisht në këtë vend, të paraqesin alternativa se çfarë duhet bërë më mirë nga ç’është bërë deri tani…! Betejat politike nuk fitohen duke dalë nga parlamenti në rrugë vetëm me protesta, nëse ato nuk shoqërohen edhe me kauza e alternativa konkurruese e të besueshme…!”, tha ai.
Po mirë or mik, vazhdova unë më tej, kanë kaluar afro 30 vjet që, si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta, po shohim të njëjta fytyra që e kanë drejtuar vendin duke e sunduar skenën e politikës shqiptare përmes nepotizimit, tarafeve, me motra e vëllezër, me kushërinj e kushërira, me miq e shokë, ashtu si dikur në monizëm.
Përse nuk po i hapin rrugë të rinjve, vajzave dhe djemëve që janë shkolluar në perëndim, atyre që kanë një vokacion dhe qasje perëndimore, një tjetër botëkuptim, vizion e koncepte të avancuara bashkëkohore si për diplomacinë, ashtu edhe për politikën, si për qeverisjen, ashtu edhe demokracinë përfaqësuese…!? Jam kureshtar or mik, më thoni ju lutem se, a keni patur mundësi t’ia sugjeronit ndjonjëherë këtë që sapo ju thashë z. Berisha në kohën kur ju ishit këshilltar i tij…!?
Po, tha prerë, ish diplomati – këshilltar. Dhe cili ka qenë reagimi i z. Berisha, vijova unë me këmbëngulje ta pyes mikun bashkëbisedues!? I kapur ngushtë, përgjigja që mora prej tij, aty për aty, ishte ajo e gjuhës së shenjave dhe trupit. Në heshtje, ai rudhi buzët, uli kokën dhe lëshoi shpatullat duke me hedhur dorën në sup! Pastaj u përshëndetëm dhe u ndamë përzemërsisht duke më sjellë në mendje shumë pikëpyetje. Ndërkohë, nga ana tjetër, ato ditë, Kryeministri Rama zhvillonte një takim me 373 studentë ekselentë, që ishin fitues të platformës “Punë të Mbarë”, të cilët, sipas tij, kishin fituar një vit pune në administratë për shkak të rezultateve të shkëlqyera në universitet.
Rama, u tha këtyre studentëve se administrata e qeverisë së tij është një nga pikat kyçe të integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, ai u deklaroi se reforma në arsim pati si iniciator pikërisht protestën e studentëve, që me sa duket, e ka shkundur dhe gjunjëzuar keqasi edhe vetë Kryeministrin, i cili është përballur në 6 vitet e qeverisjes së tij me numrin më të madh të protestave të mara së bashku në këto tre dekadat e fundit.
E tek ndiqja kronikën e takimit të studentëve me Kryeministrin, e kuruar bukur nga stafi i propagandës së Qeverisë, mendja më shkoi në vitin 1997, atëherë kur Edi Rama braktisi Parisin për tu bërë pjesë i ekipit qeverisës që drejtonte osokohe lideri historik i së majtës Fatos Nano. Studentët ekselentë, mysafirë të Kryeministrit Rama, brezi i sotëm i 22 vjeçarëve, asohere ishin foshnja që “përkundeshin në pelenat” e breshërive të armëve.
“Ninullat” e tyre, ishin buçimat dhe uturimat e frikshme të motorëve e autoblindave, përbindëshave metalikë të tankeve që lëviznin çmendurisht në sheshet e qyteteve të Shqipërisë, në Republikën kaotike, ku i gjithë shteti kishte rënë në duart e bandave të krimit të organizuar.
“Simfonia” për këto foshnja të sapolinduara në ato kohë të trishta, ishin gulçimat e sirenave të anijeve të vdekjes, të mbërthyera nga ethet e eksodit emoragjik, të tejmbushura me refugjatë shqiptarë, të dëshpëruar e të pashpresë, burra e gra, pleq e fëmijë, që niseshin për andej detit nga Durrësi, Saranda, Vlora e Shëngjini, pa ditur se ku dhe përse.
Madje, disa prej tyre lindën edhe në kuvertat e këtyre anijeve, duke mbartuar me vete simbolikën e tragjedisë më të madhe të eksodit biblik të shqiptarëve. Ato foshnja të pafajshme, (disa syresh u pagëzuan edhe me emra detesh e anijesh), nuk kishin si ta dinin se, pikërisht, njeriu që u katapultua asokohe në politikën e trazuar shqiptare, i ardhur nga kthinat e urave dhe rrugët e metropolit parisien nga ku bënte artin e tij përmes pikturave, sot do të ishte Kryeministri e tyre dhe i gjithë shqiptarëve.
Një kryeministër që, me staturën prej intelektuali dhe artisti, (me gjasa, mund të mbante mbi vete shumë dritëhije nga historia e së shkuarës për shkak të origjinës të familjes së cilës i përkiste dhe lidhjes së saj me regjimin komunist të kohës), ndërtoi vringthi profilin politik të një lideri të fuqishëm e të pathyeshëm autokrat, kundër të cilit, edhe sot protestohet aq fuqishëm dhe masivisht prej javësh e muajsh të tërë.
22-vjeçarët, studentët e tanishëm, nuk kishin si ta dinin asokohe se e shkuara e Kryeministrit të sotëm kishte të bënte me një periudhë akoma edhe më të zymtë, edhe më e tmerrshme, se ajo që përjetuan të gjithë shqiptarët. Sepse prindërit e tyre dhe gjeneratat paraardhëse, qëlluan fatalisht të jetonin në një kohë dhe vend të gabuar.
Nën trysninë e një rregjim represiv gjysëmshekullor, nga më të egërit e më përçudnuesit, i cili e deformoi dhe shkatëroi Njeriun si individ, por edhe si qënie humane, duke ndërtuar si manekin “Njeriun e ri”, në shërbim të një sistemi ku sundonte shteti totalitar dhe “Diktatura e Proletariatit”. Pikërisht, kundër atij regjimi dhe doktrinës së saj famëkeqe që përfaqësonte kasta dhe establishmenti i një sistemi që mbajti peng dhe të izoluar Shqipërinë nga pjesa tjetër e qytetërimit perëndimor për afro gjysëm shekulli, u ngritën të gjithë shqiptarët.
Mes tyre, sigurisht kanë qenë edhe nënat e baballarët e këtyre studentëve, mysafirë në zyrën e Kryeministrit Rama. I madh e i vogël, i mundur dhe i pamundur, çdo i ri dhe çdo plak, u bashkuan në vitin 1990 kundër një të keqeje të madhe, dhe mbushën të gjitha sheshet dhe cepat e Shqipërisë duke protestuar me sloganin: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa…!”. Ky slogan, u bë lejtmotivi dhe kryefjala e një refreni të pandërprerë në çdo protestë popullore, në çdo manifestim të fushatave të partive politike që organizuan në këto tre dekadat e fundit në vendin tonë.
Madje, për shkak të mospërmbushjes së aspiratës së kahershme të shqiptarëve, slogani: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa…!”, prej kohësh ka marrë një status me kuptim të karakterit utopik, e së bashku me zemëratën legjitime mbarëpopullore, ajo është kthyer tashmë në një kumt therrës për çdo shqiptar, në kambanë alarmi për çdo ndërkombëtar dhe kancelari perëndimore.
Për këtë arsye, Evropa nuk mund të vazhdoj me shurdhëmemecërinë e saj të qëndroj ende indiferente, edhe pse faji nuk është i saj, por i një klase të tërë politike, e papërgjegjshme, e kalbëzuar dhe e korruptuar, e cila në këto tre dekadat e fundit, përmes riciklimit të krizave i ka keqqeverisur dhe mbajtur peng Shqipërinë dhe shqiptarët vetëm për përfitime e saj personale…!
Por, le të kthehemi tek protestat. Ka më shumë se 5 muaj që vendi zien dhe gëlon nga protestat masive mbarëpopullore, si shprehje e pakënaqësisë për mënyrën se si ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë Kryeministri Rama, edhe pse ky i fundit thotë se këto janë protestat e militantëve të opozitës. Kryeministri e pranon se qeverisja e tij ka edhe gabime, dhe se nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka, thotë z. Rama.
Me këtë deklaratë, Kryeministri pohon një të vërtetë, sepse në kushtet aktuale kur skenën politike shqiptare e dominojnë vetëm dy parti që përcaktojnë vullnetin politik të sovranit, padyshim që alternativë tjetër përveç PD – së, partia e z. Rama nuk ka. Krijimi i kushteve për të ndërtuar një skemë për mospasjen e alternativave të tjera konkuruese përballë dy forcave politike tradicionale ka ndodhur qysh në vitin 2008, kur PD dhe PS, bënë marrëveshjen e tyre famëkeqe duke ndryshuar Kushtetutën.
Të dyja këto parti bën ndryshimin e sitemit maxhoritar duke e zëvendësuar me sistemin proporcional rajonal, ngase ishin të shqetësuara se nuk kontrollonin dot grupet e tyre parlamentare, as deputetët që refuzonin votimin në bllok. Shpesh, kishte deputetë që bliheshin prej grupeve kundështare politike ose nga grupet e interesit jashtë politikës.
Ashtu siç kishte edhe mendime të lira e të pavarura brenda grupimeve që i hapnin probleme lidershipit. Për këtë arsye, Rama dhe Berisha ranë dakort që të bënin ndryshime me qëllim kontrollin mbi deputetët nga Partia, veçanërisht me zgjedhjen e deputetëve sipas interesit dhe lidhjeve të drejtëpërdrejta me Kryetarin. E gjitha kjo është në kundërshtim flagrant me parimet e demokracisë përfaqësuese, me lirinë e mendimit dhe të veprimit, si dhe nga ana tjetër, në interes të kapjes së politikës prej oligarkëve, grupeve të biznesit dhe të krimit të organizuar.
Pikërisht, për këtë arsye kanë protestuar dhe protestojnë sot partitë e vogla, të cilat kërkojnë jo panspermi, por një shpërndarje më racionale dhe efikase të përfaqësimit politik, për ti dhënë një frymëmarje natyrale dhe më të shëndetshme demokracisë funksionale në Shqipëri.
Protestat mbarëpopullore të grupeve të ndryshme të interesit, ajo e studentëve të nisura në fundvjeshtën e shkuar, që pasuan përgjatë gjithë stinës së dimrit dhe mbërritën në pranverën e këtij viti me protestat e opozitës së bashkuar, paraqesin një sfond të zymtë të një tranzicioni ciklik të mbarsur me kriza që duket se nuk do të marrin asnjëherë fund.
Historia e shqiptarëve në këto 30 vitet e fundit, është historia tragjike e një kalvari të pandërprerë të protestave për Drejtësi Sociale dhe Dinjitet, në një Atdhe të munguar dhe të trazuar e të pagjumë, ku stinët politike janë bërë nga më të mëzitshmet për çdo qytetar të këtij vendi.
Këto stinë, në tre dekadat e fundit kanë fiksuar në memorie kalendarike mjaft kriza, dhimbje edhe lot për çdo shqiptar, të cilët, sot nuk kërkojnë më asgjë nga vendi i tyre, madje as punë, as strehë, as arsim, as bukë, as ujë dhe as drita… Ata duan vetëm të ikin, të ikin, të ikin… sepse u është sosur durimi. Nuk ka më bukur dhe më qartë si e përshkruan këtë realitet poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu kur shkruan: “…A ka gjëkund ndonjë shitore/, A ndonjë tezgë kot më kot…/, Të blej me ca qindarka qorre/, Jo bukë, por pak durim, o Zot?”.
Dhe së fundi, kam vetëm dy fjalë fjalë për studentët, mysafirë të Kryeministrit Rama. Vallë, mos duket rastësi fakti që ato foshnja të lindura në vitin 1997, janë sot ata djem e vajza 22 vjeçarë, studente e studentë protesues, të cilët morrën guximin dhe kurajon të gjunjëzojnë establishmentin e politikës së vjetër, atë establishment që në fakt, në këto tre dekadat e fundit ka qenë dhe është përgjegjëse, shkaktare e vërtetë e dramës kolektive të shqiptarëve në Atdheun tonë të përbashkët, të trazuar e të pagjumë…!?
Mendoj se jo! Ajo që po ndodh sot, nuk është thjesht një proces që vjen vetëm nga rrethanat e zhvillimeve të reja sociale e politike, por më së shumti, diktohet në mënyrë të pashmangshme edhe nga ligjet dialektike të evolucionit shoqëror, që padyshim në të ardhmen, do ta prezantoj Shqipërinë me një tjetër realitet.