Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA dhe Kosova shprehin interes për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare

 

Uashington, 12 prill 2019 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me zëvendës-ndihmësin e sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer.

Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik thuhet se dy zyrtarët kanë diskutuar për proceset ekonomike në Kosovë dhe për investimet amerikane dhe se ata e kanë shprehur nevojën dhe gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve.

“Gjatë takimit, ministri Lluka e ka informuar zotin Palmer rreth politikave ekonomike, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, si edhe për projektet madhore në vend”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, z. Palmer e ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së për ndërtimin dhe forcimin e marëdhënieve me vendet e Ballkanit Përendimor, si edhe për mbështetur procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Ditë më parë, Palmer u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden për normalizimin e marrëdhënieve.

Normalizimi i raporteve është kusht për përparimin e të dy vendeve drejt integrimit euro-atlantik./ylliria press/

Please follow and like us: