Albspirit

Media/News/Publishing

Procedura dhe kushtet e BE-së për rikthimin e vizave për Shqipërinë

Më 16 prill, parlamenti holandez votoi pro mocionit të një grupi deputetësh për t’i bërë thirrje qeverisë t’i kërkojë Komisionit Evropian nisjen e procedurës për rivendosjen e vizave me Shqipërinë për zonën Shengen. Më poshtë shpjegohet baza ligjore ku mbështet një nismë e tillë dhe kushtet që çojnë vendet e BE-së në marrjen e një vendimi të tillë: Më 15 dhjetor 2016, Parlamenti Evropian miratoi procedurat për rivendosjen e vizave me vendet jo anëtare të BE-së të cilat mund të lëvizin pa viza. Masa e re ligjore për pezullimin e vizave u miratua nga Parlamenti Evropian me 485 vota pro, 132 kundra dhe 21 abstenim. Propozimi u raportua nga eurodeputeti Augustin Diaz de Mera (EPP dhe ES). Ai tha se “ne kemi krijuar një mjet operacional më fleksibël duke respektuar të drejtat e njeriur dhe rolin kyç të Parlamentit Evropian”. Sipas rregullit të ri, vendeve të treta, të cilat janë pjesë e marrëveshjes së lëvizjes së lirë me BE-në, mund t’i rivendosen vizat për të hyrë në BE:

– Kur ka rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve të një shteti të cilëve u refuzohet hyrja ose qëndrojnë kundër rregullave në territorin e BE-së;

– Kur ka rritje në aplikimet e pabaza për azil;

– Kur ka rënie të bashkëpunimit në lidhje me pranimin e migrantëve të kthyer mbrapsht;

– Kur ka rritje të rreziqeve apo të kërcënimeve të dukshme për politikat publike apo për sigurinë e brendshme, që vijnë nga qytetarët e një vendi joanëtar i BE-së.

Procedurat për rivendosjen e vizave

Të gjitha qeveritë e vendeve të BE-së, ashtu si dhe Komisioni Evropian mund të nisin procedurat për rivendosjen e vizave për shtetet e treta që udhëtojnë pa viza. Vendimi duhet të merret mbi të dhëna e fakte objektive. Pas lajmërimit nga një vend anëtar i BE-së (ose nga një shumicë e thjeshtë e vendeve anëtarë), ose bazuar në raportin e vetë Komisionit, Komisioni ka një muaj afat për të vendosur mbi pezullimine vizave për një periudhë nëntë mujore. Ky vendim ka efekt të menjëhershëm. Gjatë periudhës së pezullimit, Komisioni duhet të përpiqet sëbashku me vendin e prekur, të gjej një zgjidhje për rrethanat që çuan në rikthimin e sistemit të vizave. Komisioni duhet të monitorojë situatën në vendin e prekur dhe të raportojë, të paktën një herë në vit, tek Parlamenti dhe Këshilli Evropian nëse vendi i përmbush kushtet për të hequr vizat.

Zgjatja e periudhës së rivendosjes së vizave

Nëse gjendja në vendin të cilit iu rikthyen vizat, vazhdon dhe nuk ka përmirësime, Komisioni duhet të propozojë të paktën dy muaj përpara përfundimit të afatit 9 mujor, zgjatjen e periudhës së pezullimit për 18 muaj. Eurodeputetët dhe vendet e tjera anëtare të BE-së mund të mos e pranojnë këtë propozim. Komisioni mund të vendosë në çdo moment të paraqesë një propozim ligjor për të hequr vendin e prekur nga lista e vendeve për lëvizje të lirë në listën e vendeve ku kërkohet vizë. Kjo zhvendosje duhet të miratohet nga Parlamenit dhe Këshilli Europian. Ky mekanizëm, u fut në legjislacionin e BE-së që prej vitit 2013, kur parlamenti evropian diskutoi për heqjen e vizave për Gjerogjinë, Ukrainën dhe Kosovën.

A i përmbush Shqipëria kushtet për rivendosjen e vizave?

Shqipëria që prej vitit 2016 ka qënë vendi me numrin më të lartë të emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve të pajustifikuar në vendet e BE-së. Në 29 dhjetor 2018, Paramenti Europian shprehu shqetësim e thellë për faktin se Shqipëria mbetet vendi i Ballkanit Perëndimor me numrin më të lartë të hyrjeve të paligjshme dhe të kërkesave të pabaza të azilkërkuesve në vendet e BE-së, dhe i kërkoi autoriteteve masa për të parandaluar aplikimet e shumta për azil. Në vitin 2018, autoritete holandeze thanë se mbi 90 për qind e emigrantëve të paligjshëm që enden në dy portet kryesore hollandeze janë shqiptarë dhe se Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Hollandë. Sipas raportit të Eurostatit, në vitin 2017,  Shqipëria u rendit e para në botë për numrin e emigrantëve të paligjshëm të dëbuar nga vendet e BE-së. Grupet kriminale shqiptare janë kthyer në problem për vendet e BE-së, veçanërisht në trafikimin e drogave të rënda. Madje, përpara dy javësh një operacion policor i Europolit arrestoi një grup kriminal shqiptar me aktivitet në Blegjikë, Holandë, Gjermani, dhe Itali. Në tetor 2018, në pesë kushtet e vendosur nga Parlamenti Europian për hapjen e bisedimeve me BE-në theksoi si kusht kryesore luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe luftën ndaj drogës. Në dhjetor 2018, Komisioni Europian, në raportin për përmbushjen e kritereve nga vendet të cilat kanë marrëveshje liberalizimi vizash me BE-në, theksoi se: “Grupet kriminale shqiptare janë zakonisht të përfshirë në një sërë aktivitetesh kriminale në BE. Këto grupe kriminale trafikojnë heroinë në sasi të mëdha duke bashkëpunuar me grupet e organizuara kriminale turke përgjatë rrugës së trafikimit”. Këshilli i Evropës në vitin 2017 në raportin e tij për vendet nën marrëveshjen e liberalizmit të vizave konfirmoi rritjen dhe shpërndarjen e  gjerë të grupeve kriminale shqiptare anembanë BE-së.

Please follow and like us: