Albspirit

Media/News/Publishing

Viktimat e terrorit serb dëshmojnë në Kongresin amerikan

Me datën 30 prill, Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, i kryesuar nga kongresmeni Eliot Engel do të organizojë një seancë dëgjimore lidhur me kërkesat për drejtësi të viktimave të kohës së luftës në Kosovë, të shkaktuara nga ana e shtetit serb

 

Botuar fillimisht nga DialogPlus.ch, këtu: http://dialogplus.ch/viktimat-e-terrorit-serb-deshmojne-ne-kongresin-amerikan-132990?fbclid=IwAR2xhkgsAwlqZ-lsVPpNxjOEHnSnBV8RgtLJlWd_Bc-lMBwgApxryq2rRX4

Në seancën dëgjimore për të dhënë dëshmitë e tyre mbi viktimat e luftës në Kosovë janë ftuar Paul Williams, Vasfije Krasniqi Goodman, Ilir Bytyqi dhe Atifete Jahjaga. Ndërkohë po punohet që në seancë të marrë pjesë edhe aktivistja e shquar për të drejtat e njeriut nga Beogradi, Natasha Kandiq.

Paul Williams, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohës i mirë rajonit të Ballkanit, do të adresojë nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare çështjen e krimeve dhe përdhunimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, mundësitë e shfrytëzimit të mjeteve juridike të cilat kanë qenë dhe janë në dispozicion të viktimave të cilat kanë pësuar gjatë kësaj lufte. Po ashtu, ai pritet të analizojë sjelljet aktuale të sistemit juridik të Serbisë kundrejt Kosovës në trajtimin e dhunimeve dhe krimeve të luftës.

Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe, do të flasë rreth asaj se çfarë ka përjetuar gjatë kohës sa ka qenë në duar të forcave të sigurisë së Serbisë, kërkimin e drejtësisë nga ana e saj si dhe rezultatin e arritur deri më tani në gjetjen dhe dënimin e fajtorëve. Po ashtu, do të flitet për pritjet nga SHBA, BE si dhe vendet tjera për të bërë më shumë në adresimin e çështjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ilir Bytyqi, familjar i tre vëllezërve Bytyqi të vrarë nga forcat serbe, do të dëshmojë për mënyrën e vrasjes së vëllezërve të tij nga forcat serbe. Ai po ashtu do të tregojë për hapat e ndërmarrë nga familja në kërkimin e drejtësisë, mosdënimin e autorëve të vrasjes nga ana e institucioneve të Serbisë, pavarësisht premtimeve të dhëna nga përfaqësuesit serbë, përfshirë këtu edhe presidentin e Serbisë.

Atifete Jahjaga, ish-presidente e Republikës së Kosovës, do të dëshmojë për përjetimet nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës gjatë luftës, përfshirë këtu vrasjet, dhunimet dhe dëbimin e popullatës. Po ashtu, ajo pritet të flasë rreth vështirësive me të cilat ballafaqohen gratë e Kosovës në jetën e tyre të përditshme për të arritur një mundësi për gjetjen e drejtësisë në Serbi.

Një ditë pas përfundimit të kësaj seance, përkatësisht më datën 1 maj, është planifikuar të organizohet edhe një konferencë për shtyp në National Press Club, ku anëtaret e panelit të cilat dëshmojnë në seancën dëgjimore do të kenë mundësinë të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve. (DialogPlus.ch)

Please follow and like us: